Donacionet që na kalojnë anash
Paratë që i kanë premtuar donatorët ndërkombëtarë para dhe pas takimit në Bruksel nuk do t’i shohë me sy qeveria e Kosovës. Ato mjete nuk do të kalojnë nëpër asnjë institucion të Kosovës, sepse edhe në të kaluarën pjesa më e madhe e mjeteve-donacione janë realizuar nëpërmjet shoqatave, firmave të ndryshme që nuk ishin vendëse, por ndërkombëtare. Në pjesën më të madhe vendësit qëllonin të ishin ndërmjetës të vegjël, të gjenin firmat për të marrë pjesë në një mënyrë apo tjetër në jetësimin e një projekti, a pjese të projektit, por pjesa më e madhe e shpenzuesve ishin të jashtëm. E njëjta gjë, me ndonjë përjashtim të vogël, do të bëhet edhe tash: donatorët do të financojnë projekte të caktuara apo programe me ndërmjetësime e financime ndërkombëtare, ndërsa në pjesën më të madhe, zyrtarët e Kosovës vetëm do të marrin informacionin e duhur se ku janë realizuar ato projekte. Natyrisht se nuk do të përjashtohet mundësia që ndonjë zyrtar të ngjyejë buzët në këto donacione, por do të jenë taksapaguesit ata që do ta financojnë veprimtarinë e institucioneve të Kosovës, pra paratë e taksapaguesve do të jenë tundimi dhe sprova më e madhe e qeveritarëve tanë. Dhe deri tash janë të paktë ata qeveritarë të cilët nuk i tundoi djalli i parasë, duke i futur në mëkate deri në fyt. Por zjarri i ferrit nuk e dogji asnjërin prej tyre. Me sa kemi informacione, asnjë ministër apo zyrtar tjetër i kategorisë më të ulët, nuk doli i varfër nga qeveria e kaluar, e besa nuk pritet që do të dalë i varfër as nga kjo qeveri, përkundrazi, shumica prej tyre gjatë mandatit që e patën, ndërtuan shtëpi, blenë makina a xhipa të shtrenjtë, bënë luks të pafre dhe u mbetën edhe shumë para të tjera për ditë të vështira. Nuk besoj se qeveritarët e tashëm do t’i shmangen traditës së pararendësve të tyre në pozitat e njëjta. Ata që nuk i kanë shtëpitë e mobiluara, këtë do ta bëjnë së shpejti. Shenjat e tregojnë një gjë të këtillë. Kjo është praktika e të gjitha qeverive të rajonit, kjo ishte edhe praktika e qeverive të Kosovës, kështu që edhe në këtë plan nuk bën përjashtime, nuk i ikën mesatares së fqinjëve, ashtu sikurse që nuk i lamë gjë mangut edhe në krimin e organizuar, në fshehjen e tatimeve në kontrabandën e mallrave dhe në reket.
Disa mendonin se ndërkombëtarët do ta bëjnë shembull në rajon Kosovën për të mirë. Atë e priti edhe popullata, sepse gjasat ishin të mira. Mirëpo, ndërkombëtarët ndihmuan shumë të ngjizet krimi i organizuar, të hapen rrugë që tash vështirë po mbyllen për hyrjen e mallrave të padoganuara, u treguan taksapaguesve se si duhet të fshihet tatimi dhe lejuan grupet e dhunshme të bëjnë presion mbi biznesmenë. E shkuar, e harruar, nëse nuk do të vazhdojë kjo praktikë e keqe.
Është mirë që këto para nuk do të kalojnë nëpër duart e zyrtarëve tanë, të rinjve e të vjetërve, është mirë nëse nuk do të kalojnë nëpër duar të zyrtarëve ndërkombëtarë, të cilët kanë punuar më herët në Kosovë, ndërsa një pjesë e tyre do të përpiqen të menaxhojnë këto para.
Por para se të marrë këto fonde në formë të projekteve apo në formë të programeve, do të ishte shumë mirë për qeverinë e Kosovës, për institucionet publike dhe për shoqatat e ndryshme, të bëjnë të gjitha përpjekjet e mundshme për të përgatitur truallin që të ketë sa më pak korrupsion nga zyrtarë të ndryshëm, të pritet hovi i tenderave që është bërë një kancer, të pritet hovi i krimit të organizuar dhe që të bëjnë kontrolle të vazhdueshme mbi zyrtarët e vet, sidomos për fondet publike, përkatësisht për paratë që i vjelin nga të ardhurat e shtetit. Ato janë mjete që ka mundësi të keqpërdoren dhe që po keqpërdoren nga kategoritë e ndryshme të nëpunësisë. Dhe këtu nuk është bërë asgjë për pengimin e këtij fenomeni të shëmtuar e të pandëshkuar. Nëse presin luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit nga gjyqësia dhe prokuroria jonë, kjo punë do të dështojë, sikurse që ka dështuar deri tash, sepse këto dy segmente i kemi më të dështuarat nga hallkat e mekanizmave shtetërorë.
Për luftimin e krimit të organizuar, për hulumtimin e korrupsionit në segmentet e shtetit dhe për pengimin e reketit nga grupet joformale, është pritur shumë nga institucionet e Bashkimit Evropian, sidomos nga mekanizmat që do ta luftojnë krimin e korrupsionin, pavarësisht nga qeveria e Kosovës, mirëpo për këtë dështim u përkujdes Beogradi, duke e zvetënuar që në fillim punën e tyre. EULEX-i, nga i cili u prit shumë, dalëngadalë po shndërrohet në organ vrojtues pasiv dhe krejtësisht i pafuqishëm të përballet së pari me grupet militante serbe të dirigjuara nga shërbimi sekret serb. Ndërkaq, disa shtete dhe disa qarqe evropiane e morën jo me shumë entuziazëm punën e institucioneve të tyre që i dërguan në Kosovë, duke e zgjatur të keqen që po rrënjoset gjithnjë e me thellë.
Qeveria e Kosovës me organizatat e tjerë publikë do të duhej ta bëjë sa më të lehtë truallin për investime të jashtme, përkatësisht të lehtësojë punët administrative, të marrë masa të rrepta ndaj atyre zyrtarëve që i zvarrisin apo që i pengojnë procedurat për investues, të kërcënojnë, madje edhe të burgosin ata nëpunës të cilët kërkojnë ryshfet për objekte a investime të ndryshme.
Prandaj, do të ishte mirë që qeveria të bëjë përpjekje për të çrrënjosur korrupsionin nga institucionet e Kosovës duke u përqendruar në paratë e taksapaguesve tanë, ndërsa për paratë e donatorëve të jashtëm besoj se do të përkujdesen organet e shteteve, që i japin paratë. Natyrisht, i kemi edhe organizmat e ndryshëm në kuadër të EULEX-it, që besoj do të fillojnë në të ardhmen e afërt luftën kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit edhe në organizatat tona, sepse deri tash, asnjëra nga qeveritë tona nuk arriti ta luftojë të keqen brenda vetes.