E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjygji ndaj Haradinaj, Kabashi refuzon sërish t’i përgjigjet prokurorit

HAGË- Ka vijuar sot në Hagë, seanca e rradhës për rigjykimin e pjesshëm ndaj liderit të AAK-së Rramush Haradinaj dhe dy ish- bashkëluftëtarëve të tij Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj.

Shefqet Kabashi në ditën e dytë të dëshmisë para gjykatës së Hagës ka vazhduar të mos u përgjigjet pyetjeve të prokurorit Paul Rogers, duke thënë madje se dëshmia e tij e dhënë gjatë hetimeve dhe ato çfarë ka nënshkruar më herët kanë qenë të modifikuara dhe se nuk i kujtohet asgjë nga ato.

Ai madje ka lutur gjykatën që ta ndërpresë marrjen e tij në pyetje dhe ta lënë në burg, “ku do të ndihej më i lirë” se në rrethanat aktuale. Me kërkesën e prokurorit procesi kaloi në shqyrtimin e argumenteve të palëve pa praninë e dëshmitarit Kabashi.

Me këtë rast nuk kane munguar replikat mes tij e mbrojtjes. Prokurori insistonte që të merren si dëshmi te vlefshme ato që Kabashi kishte deklaruar më herët, madje edhe në procesin Limaj, kurse mbrojtja duke cituar nene e vendime të kësaj gjykate në raste të ngjashme, që i japin të drejtë pozicionimit të dëshmitarit.

Kolegji i gjyqtarëve ndërpreu seancen për të marrë një vendim rreth kërkesave të palëve, për të vazhduar nesër me seancën e rradhës. Shefqet Kabashi, ish-pjesëtar i UÇK-së, u arrestua javën e kaluar në Hollandë për shpërfillje të Gjykates së Hagës në vitin 2007, pasi refuzoi t’u përgjigjet pyetjeve të hetuesve gjatë dhënies së dëshmisë kundër Ramush Haradinajt dhe të tjerëve.
(e.m/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›