E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata: 13 vjet burg për Emiliano Shullazin

Autori i Lajmit: red.
Dënohen me 13 vjet heqje lirie Emiliano Shullazi dhe bashkëpunëtori i tij, Ervin Ferhati. Vendimi është dhënë dje nga togat e zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda, të cilat i kanë “falur” Shullazit 5 vjet burg, pasi prokurori i dosjes, gjatë pretencës kërkoi dënimin e tij me 18 vjet heqje lirie. Burime nga organi i akuzës bëjnë të ditur se Emiljano Shullazi dhe Ervin Ferhati janë arrestuar për trafikim të lëndëve narkotike. Ndërkohë Shullazi është i dyshuar edhe për shumë vepra të tjera penale.
Vendimi
Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë dje vendimin me 13 vite burg për Emiljano Shullazin dhe Ervin Ferhatin, të njohur ndryshe si “baronë të drogës”. Dy seanca më parë, në pretencën e saj, Prokuroria kishte kërkuar 18 vjet burg, por gjykata vendosi dënimin e tyre me 13 vite të akuzuar për drejtim dhe financim të organizatës kriminale me qëllim trafikimin e narkotikëve, si dhe trafikimin e drogës në më shumë se një herë. Burime nga prokuroria bëjnë të ditur se Shullazi dhe Ferhati kanë drejtuar një organizatë kriminale që trafikonte heroinë nga Turqia në Itali, duke kaluar transit në territorin shqiptar. Furnizuesi ishte një shtetas turk, ndërsa korrierë të drogës ishin shtetas kosovarë, shqiptarë dhe kroatë. Sipas Prokurorisë, policia italiane ka organizuar përgjatë vitit 2004-2005 disa operacione duke sekuestruar sasira të shumta heroine, si dhe ka arrestuar 9 bashkëpunëtorë të drejtuesve, Emiliano Shullazi, që njihej me pseudonimin “MILI”, apo emrin e rremë, Anton Nikolli dhe Ervin Ferhatit, i njohur si Ergys Ferhati.
Prokuroria
Sipas Prokurorisë, janë gjithsej 6 episode, ku kryesisht prova më e fortë janë përgjimet. Të pandehurit kanë rënë në grackën e policisë nëpërmjet përgjimeve telefonike. Madje, bëhet e ditur se në mes të këtij rrjeti të trafikut të heroinës ka qenë edhe një punonjës policie. Akuza theksoi dje se punonjësi i policisë i lajmëronte pjesëtarët e grupit për çdo aksion që mund të bëhej dhe mundësinë për të kaluar paratë që fitonin nga shitja e mallit në emër të personave të tjerë. Prokuroria tha dje se episodi i parë ka ndodhur në datën 10 qershor 2004, kur i pandehuri Lutfi Shabani (Ben Çami) në bashkëpunim me Shqiptar Gubetinin, kanë furnizuar me 100 kg substancë përzierës organizatën e drejtuar nga Erges Ymeraj dhe Landi Baçi. Episodi i dytë është regjistruar në periudhën 16-18 gusht të vitit 2004. Të pandehurit Erges Ymeraj, Landi Baçi, Ervin Ferhati, në bashkëpunim me furnitorin turk me emrin Mehmet, si dhe me korrierin Nevzdet Haziri, i arrestuar në Itali, kanë trafikuar 10 kg heroinë. Droga është furnizuar nga Turqia dhe përmes Shqipërisë është eksportuar në Milano, Itali. Më 18 shtator 2004, gjatë kontrollit të ushtruar në autoveturën me targa kroate ZG 2879 K, me të cilën ka qenë duke udhëtuar korrieri Nevzdet Haziri, janë gjetur dhe sekuestruar 20 pako me peshë totale 10 kg. Lënda narkotike ishte e destinuar për të pandehurit Ervin Ferhati dhe Emiljano Shullazi. Sipas Prokurorisë, episodi i tretë daton në periudhën 18-21 gusht 2004, kur të pandehurit Erges Ymeraj, Erion Gogaj, Ervin Ferhati, Emiljano Shullazi në bashkëpunim me furnitorin turk, "Mehmet", kanë trafikuar 11 kg heroinë. Episodi i katërt është në periudhën 22-25 gusht 2004, kur disa të pandehur kanë trafikuar në Milano, Itali, sasinë prej 5 kg heroinë. Episodi i pestë daton në periudhën 28-29 shtator 2004, ku Erges Ymeraj, Erion Gogaj, Selfo Driza, Ervin Ferhati dhe Emiljano Shullazi, në bashkëpunim me furnitorin turk me emrin Mehmet, kanë trafikuar në territorin e shtetit italian 15 kg heroinë. Episodi i fundit ka ndodhur në harkun kohor 25 tetor 2004 dhe 1 nëntor 2004, ku Emiljano Shullazi, Ervin Ferhati, në bashkëpunim me Ardit Beratin dhe furnitorin turk me emrin Mehmet, me anën e korrierit Branko Govedaroviç, i arrestuar në Itali, kanë trafikuar në Itali 11,2 kg heroinë.
Ky lajm është publikuar: 16/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›