E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Cenimi i zgjedhjeve, kosto e rëndë”

Autori i Lajmit: red.
Shqipëria është i vetmi vend në Evropë pa një ministër katolik thotë në një intervistë për gazetën “Ballkan” Nard Ndoka, Kryetari i Partisë Demokristiane. “Cenimi i standardit demokratik të zgjedhjeve do të krijojë një kosto shumë të rëndë, për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Është pozitiv sistemi proporcional dhe ne do të kemi një përfaqësim dinjitoz, një qeverisje të qendrës të djathtë, pa kryeministër Berishën”,- theksoi ai.
Tashmë, data 28 qershor 2009 u dekretua nga Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, për zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri. Si do të fillojë për ju, z. Ndoka, rruga për fushatën elektorale?

Ne tashmë e kemi filluar fushatën elektorale. Jemi në momentin e përzgjedhjes së kandidatëve, që do të konkurrojnë nën siglën e PDK-së në këto zgjedhje. Ne synojmë që në këto zgjedhje vlerat demokristiane, alternativa demokristiane, të përfaqësohet më denjësisht se asnjëherë tjetër në Parlament. Shoqëria shqiptare vjen nga një rrënojë e vlerave, nga një rrënojë e moralit që la pas piramida e shembur e sistemit komunist. Ju e dini se sa barbarisht u luftuan nga diktatura dhe diktatori vlerat kristiane, kultura kristiane dhe përfaqësuesit e këtyre vlerave. Përse? Sepse ato ishin ura lidhëse e Shqipërisë me Perëndimin, ura lidhëse e Shqipërisë me Evropën. As Perandoria Osmane, nuk mundi t i shkatërronte këto lidhje dhe këto vlera që u mbajtën gjallë dhe mbijetuan nën shekujt e zinj të pushtimit. Ëndrra e lirisë për shqiptarët u mbajt gjallë si ëndërr evropiane, me emblemen e vet, Gjergj Kastriotin, si kalorës të Krishtërimit, si mbrojtës i vlerave evropiane. Diktatori që erdhi më pas tmerrohej nga Evropa e lirë dhe demokratike dhe kërkonte të shkëpuste çdo lidhje me të. Ai zgjodhi rrugën e verbër të urrejtjes dhe të asgjësimit të kulturës kristiane, të filozofisë kristiane, të vlerave kristiane, që përbënin kodin bazë të vlerave tona kombëtare dhe evropiane. Fatmirësisht, këto vlera u ruajtën edhe në diktaturë, mbijetuan së bashku me shpresën për lirinë. Por fatkeqësisht, reminishenca të kësaj urrejtjeje që vjen nga diktatura, e më larg ende edhe nga pushtuesit, bënë që PDK të përjashtohej nga qeverisja dhe sot ne jemi i vetmi vend në Evropë pa një ministër katolik, edhe pse propagandojmë se duam të jemi pjesë e Evropës dhe betohemi për vlerat evropiane. Ky është paradoksi i politikës së sotme, por që do të marrë fund me zgjedhjet e 28 qershorit.
Në dhjetor të vitit 2008 presidenti Topi firmosi dekretin e ri zgjedhor, ku ky i fundit u miratua me konsensusin e dy partive të mëdha, PD dhe PS-së. Pse u kundërshtua nga PDK-ja?
Ne e kundërshtuam këtë Kod, sepse në mënyrë të padrejtë, bizantine, Partia Demokristiane u përjashtua nga procesi i administrimit të zgjedhjeve. Përvoja e zgjedhjeve në këto vite të pluralizmit na shtyn të dyshojmë se, qoftë PD, qoftë PS, nuk japin garanci se zgjedhjet do të jenë të lira dhe të ndershme. Të dyja këto parti, kanë zgjatur duart në kutitë e votimit, kanë vjedhur votën e qytetarëve, kur kanë pasur mundësi. Me këtë sistem zgjedhor dhe me këtë kod zgjedhor, dy partitë e vjetra, PD dhe PS, menduan të heqin qafe rivalët politikë në të majtë dhe në të djathtë, PDK-në dhe LSI-në. Kjo ishte edhe arsyeja e paktit të tyre për Reformën Zgjedhore, një arsye e pandershme dhe që vë në pikëpyetje standardet e zgjedhjeve të ardhshme.
Standardet e zgjedhjeve të vitit 2009 do të konsiderohen nga ndërkombëtaret si kusht kryesor për integrimin e Shqipërisë në BE. Mendoni se do të relizohet ky kusht?
Ne kemi paralajmërur dhe e deklarojmë sërish se cenimi i standardit demokratik të zgjedhjeve do të krijojë një kosto shumë të rëndë, jo vetëm për PDK-në dhe LSI-në, po për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Koston më të madhe, sigurisht që do ta paguajnë ata që do të guxojnë të prekin votën e shqiptarëve. Pasiguria sigurisht që ekziston, po ne jemi të përgatitur për të mbrojtur votën e votuesve demokristianë, ndërkohë që do të bëjmë të gjitha përpjekjtet tona, duke shfrytëzuar çdo mundësi dhe hapësirë që na krijon ligji, që zgjedhjet të jenë të lira dhe me standarde demokratike, sepse kështu nuk fitojmë thjeshtë ne, por fiton Shqipëria, fitojnë qytetarët shqiptarë, të cilët janë lodhur nga pritja në dyert e Evropës për shkak të politikanëve të tyre cinikë dhe të papërgjegjshëm, që vënë pushtetin, interesin e tyre personal, mbi interesat e Shqipërisë dhe të qytetarëve të saj. Por unë jam i bindur se në këto zgjedhje, vota e qytetarëve do të dijë të ndëshkojë ata politikanë dhe forca politike që e kanë hequr zvarrë Shqipërinë në këto tetëmbëdhjetë vjet.
Në zgjedhjet e këtij viti do të votohet për herë të parë tërësisht për partitë, në një sistem proporcional me bazë qarku. Konsiston pozitive apo negative për ju dhe partinë tuaj?
Në tërësinë e vet, sistemin e gjykojmë pozitiv. Ne kemi objektiv të konkurrojmë fuqishëm në të gjitha qarqet dhe në disa qarqe jemi të sigurt se do të marrim dy ose më shumë deputetë. Ne do të kishim dashur që sistemi të kishte një njohje të proporcionalit në nivel kombëtar, sepse kështu do të garantohej barazia dhe vlefshmëria politike e çdo vote. Kjo do të dëmtojë disa parti që kanë elektorat të kufizuar, të cilat do të detyrohen të hyjnë në sqetullat e PD-së ose të PS-së për të mbijetuar, duke u defaktorizuar politikisht, por jo PDK-në, e cila shkon më e sigurt se asnjëherë tjetër në këto zgjedhje.
Çfarë u siguroni votuesve tuaj, për 28 qershorin?
Një përfaqësim dinjitoz të Partisë Demokristiane në Parlament dhe një qeverisje të qendrës së djathtë, pa kryeministër Berishën. Ky do të jetë një zhvillim shumë i rëndësishëm pozitiv për të djathtën shqiptare, e cila përfundimisht do të çlirohet nga remineshencat e së shkuarës, por edhe për Shqipërinë do të jetë një zhvillim i mbarë në të gjitha pikëpamjet.
Migena Topçiu
Ky lajm është publikuar: 16/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›