E Diel, 1 Nëntor 2026

Misioni i 4-t paqëruajtës në Afganistan

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Niset për në Afganistan kontigjenti i katërt paqeruajtës nga Shqipëria. Trupat komando do të shërbëjnë në qytetin e Heratit, ku do të sigurojnë rendin dhe qetësinë për banorët afganë. Në ceremoninë e përcjelljes ka marrë pjesë ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa. Kontigjenti shqiptar përbëhet nga 112 oficerë, nënoficerë dhe ushtarë profesionistë, efektivë të Brigadës së Reagimit të Shpejtë. Trupat paqeruajtës të këtij kontigjenti do të zëvendësojnë kontigjentin e 3-të, që shërben prej 6 muajsh në Herat nën komandën italiane.
Ceremonia
Kontigjenti i 4-t i trupave paqeruajtëse shqiptare u nis dje për në Herat të Afganistanit. Zyra e shtypit e Ministrisë së Mbrojtjes bën të ditur se në ceremoninë e zhvilluar për ta merrte pjesë edhe ministri i Mbrojtjes, Gazmed Oketa, si dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Maksim Malaj. Në fjalën e tij, Oketa u shpreh se ishte një kënaqësi e veçantë që merrte pjesë në ceremoninë e nisjes së kontigjentit të 4-t, paqeruajtës në Herat. Duke iu drejtuar trupave paqeruajtëse, ai u shpreh: “Ju keni një detyrë sa të lehtë aq edhe të vështirë, një detyrë, - shtoi ai, - të lehtë, pasi në misionet e mëparshme ushtarakët shqiptarë që kanë shërbyer atje, i kanë përmbushur në mënyrën më të mirë. Por nga ana tjetër, keni një detyrë të vështirë, pasi po shkoni në një vend i cili përballet me probleme të shumta, por jam i sigurt se, ashtu sikurse paraardhësit tuaj kanë ditur të përmbushin misionin, edhe ju do të shkoni dhe do të ktheheni faqebardhë”. Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, shprehu një falënderim të veçantë edhe për familjarët e ushtarakëve, pasi, sipas tij, "janë pikërisht ata që ju mbështesin më shumë se kushdo".
Kontigjenti
Kontigjenti i 4-t paqeruajtës, që u nis dje me mision në Herat të Afganistanit, përbëhet nga 112 oficerë, nënoficerë, dhe ushtarë profesionistë, efektivë të Brigadës së Reagimit të Shpejtë. Trupat paqeruajtës të këtij kontigjenti do të zëvendosojnë kontigjentin e 3-të, që shërben prej 6 muajsh në Herat nën komandën italiane, duke përmbushur detyrat e ngarkuara në kuadër të misioneve paqeruajtëse të NATO-s.

Viti 2002
Forcat shqiptare në Afganistan kanë shkuar më 15 gusht të vitit 2002, një trupë prej 30 ushtarakësh. Ata veprojnë nën komandën turke, por janë ushtarë të përgatitur në Shqipëri dhe mbajnë flamuj shqiptarë. Ata kanë si detyrë të mbrojnë aeroportin e Kabulit, së bashku me rreth 1400 trupa të tjerë nga Turqia, SHBA-ja, Anglia, Spanja, Gjermania, Belgjika, Suedia, Holanda, Danimarka. Komandanti i njësisë është gjeneralmajor Hilmi Zorlu, nga Turqia.

Viti 2004
Në vitin 2004 dy ushtarakë shqiptarë përkatësisht 1 oficer shtabi dhe 1 nënoficer shtabi janë caktuar në Shtabin e Bashkuar në Kabul. Dhe dy vjet më vonë në Afganistan është nisur një njësi mjekësore me efektiv 4 vetë, një mjek dhe 3 infermierë, të specializuar nga vendet e Kartës së Adriatikut. Që prej vitit 2007, Shqipëria përfaqësohet në Afganistan me një kompani të BrRSH, me rreth 110 veta nën komandën italiane. Vendi ynë ka pasur përfaqësues edhe në Komandën Shumëkombëshe në Kabul, në shtabin e njohur me emrin SEEBRIG.

Viti 2008
“Kobrat godasin të parat”. Një kontigjent prej 120 komandosh shqiptare është nisur me mision paqeruajtës në Afganistan për gjashtë muajt e ardhshëm. Kjo është edhe motoja e pjesëtarëve të repartit të Reagimit të Shpejtë, në Zall-Herr. Të 120 trupat janë nisur drejt Afganistanit, në qytetin e Herat, bazë ku ndodhen forcat italiane të NATO-s, në kuadër të operacionit ISAF kundër terrorizmit.

Detyrat :
Patrullim për sigurimin e rendit
Ruajtja dhe shoqërimi i personaliteteve
Sigurimi dhe ruajtja e autokolonave (konvojet)
Ruajtja e objekteve të rëndësisë së veçantë
Organizimi i pikave të kontrollit
Kontroll banesash

Afganistani
Afganistani ka një sipërfaqe rreth 648.000 km2. Kryeqytet është Kabuli me rreth 2 milionë banorë. Qytete të tjera të mëdha janë: Kandahar, Herat, Mazar e Sharif, Xhalalabad etj. Ka një popullsi rreth 23 milionë banorë, me përbërje heterogjene, ku grupet kryesore etnike janë Pashtun, Taxhik, Hazara, Uzbek, Turkmen, Aimaq, Baluch, Nuristan, Kizilbash etj. Për sa i përket besimit fetar, kryesisht mbizotëron feja myslimane me sektet suni 84 për qind, Shit me 15 për qind dhe të tjera me 1 për qind. Gjuha kryesore që flet populli afgan është dari (persishte afgane). Arsimi në këtë vend është në nivele shumë të ulëta. Vetëm një pjesë shumë e vogël fëmijësh ndjekin shkollën. Por me ndihmesën e dhënë nga forcat paqeruajtëse është rritur numri i nxënësve që frekuentojnë shkollën.

Misioni në Bosnjë
Ushtarët shqiptarë në Bosnjë bëjnë pjesë në Brigadën Shumëkombëshe të Juglindjes dhe janë të vendosur në Mostar. Gjithsej janë 57 ushtarë, 6 oficerë dhe 6 kapterë. Para se të shkojnë në Bosnjë trupat përgatiten, për katër javë në Gjermani. Misioni i parë shqiptar në Bosnjë dhe i pari mision paqeruajtës i ushtrisë shqiptare filloi në shtator 1996, si pjesë e IFOR-it e më pas e SFOR-it dhe kishte vetëm një kompani, që vepronte si pjesë autonome e repartit gjerman.

Misioni në Irak
Misioni i parë ushtarak shqiptar në Irak ka filluar më 14 prill 2003. Numri i trupave shqiptarë këtu është 71, ata drejtohen nga 8 oficerë dhe 20 nënoficerë, ndërsa 42 është numri i ushtarëve të thjeshtë. Misioni i Irakut është cilësuar si më i vështiri. Trupat shqiptare në Irak ishin vendosur në aeroportin e Mosulit dhe deri më tani nuk kanë pasur humbje, por vetëm para pak kohësh patën tre të plagosur. Deri më tani, në Irak kanë qenë tri misione shqiptare.

24 dhjetor 2007
Vizitë surprizë e Kryetarit të Shtetit, Bamir Topi, në Mosul, ku gjendej kontingjenti i 10 i komandove shqiptare paqeruajtëse. Medalja e Artë e Shqiponjës, për ushtarët që kanë rreshtuar vendin në koalicionin e madh kundër terrorit. Familjarët e ushtarëve dhe përfaqësues të politikës, në union, përkrahin përpjekjet reformatore që do të sjellin marrjen e ftesës në samitin e ardhshëm të Aleancës Veriatlantike. Presidenti i Republikës, njëkohësisht Komandant i Përgjithshëm i Forcave tona të Armatosura, Bamir Topi, vizitoi me rastin e festave të fundvitit, Kontigjentin e 10-të të forcave komando që shërbejnë në Mosul të Irakut, në kuadër të misionit paqeruajtës “Liria e Irakut”. Pas një takimi të ngrohtë e të përzemërt me oficerë, nënoficerë dhe ushtarë shqiptarë të këtij misioni, Kryetari i Shtetit dekoroi në një ceremoni të veçantë Kontigjentin e 10-të shqiptar me “Medaljen e Artë të Shqiponjës” me motivacionin “Për trimërinë, kurajon e profesionalizmin e lartë të treguar në operacionin “Liria e Irakut”, duke nderuar kombin shqiptar”.

Ky lajm është publikuar: 16/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›