E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetimi i zgjedhjeve, G99 i kërkon KQZ fotokopjet e fletëve të votimit

 Partia G99 i kërkoi dje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve informacion rreth materialeve të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Përmes një kërkesë drejtuar KQZ-së dhe Avokatit të Popullit, G99 kërkon një kopje të Procesverbaleve të votimit, tabelave dhe procesverbaleve të numrit të fletëve të votimit, dhe të gjitha fletët e votimit për të gjitha kutitë e votimit në ZAZ-të nr. 1, 2, 3 dhe 4 në Qarkun e Beratit, dhe ZAZ-të nr. 45, 46, 47, 48, 49, 50, 51, 52, 53, 54, 55, 56, 57, 58, 59 dhe 60 në Qarkun e Tiranës. Kërkesën e depozitoi dje në KQZ vetë kryetari i saj Erion Veliaj. Kërkesën e saj, partia G99 e bazon në garancitë që ofrojnë dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Neni 23, pika 1 dhe 2, si dhe në dispozitat e ligjit Nr.8503, datë 30.6.1999 “Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare”, i cili jep të drejtën për akses në çdo “dokument zyrtar” pra në dokumente të çdo lloji të mbajtura nga autoriteti publik. Sipas kërkuesve, “fletët e votimit dhe materiali zgjedhor qartazi bën pjesë në këtë përkufizim ligjor të ‘dokumentit zyrtar’”. kjo është hera e parë që një parti politike, e cila ishte pjesë e zgjedhjeve të 28 qershorit, apo organizëm i shoqërisë civile, i kërkon KQZ-së t’i verë në dispozicion materialet zgjedhore, përfshirë dhe fletët e votimit. Në mënyrë të përsëritur opozitarët kanë risjellë në vëmendje përvojën e zgjedhjeve amerikane të kandidatëve Bush dhe Al Gore. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›