Gjykata: 30 ditë burg për Nazime Vishën, vrau 45-vjeçarin
Gjykata e Tiranës dha masën e sigurisë arrest me burg për 30 ditë për Nazime Vishën, 18-vjeçaren që ekzekutoi me kallashnikov personin që e kishte përdhunuar që kur ishte 14 vjeçe, dhe njëkohësisht kunatin e motrës, Fiqiri Muçën disa ditë më parë.
18-vjeçarja akuzohet nga Prokuroria e Tiranës për vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje, akuza për të cilat, nëse shpallet fajtore, rrezikon një dënim të rëndë.
Por Gjykata e Tiranës vendosi ta lërë 18-vjeçaren në arrest me burg për 30 ditë, me qëllim që Prokuroria të bëjë verifikimet e saj për ngjarjen, nisur edhe nga zhvillimet e fundit dhe zbardhja e një numri të madh mesazhesh që 18-vjeçarja i kishte dërguar viktimës Fiqiri Muça, që tregonin për ekzistencën e një lidhjeje intime mes tyre.
Vajza akuzohet për vrasje me dashje të 45-vjeçarit Fiqiri Muça, baba i pesë fëmijëve, si dhe për armëmbajtje pa leje. Në deponimin e saj 18-vjeçarja ëshët shprehur se e kreu vrasjen, pasi Muca e kërcënonte vazhdimisht se do ti bënte keq familjarëve të saj nëse nuk i bindej dhe se donte ta trafikonte në Kosovë.
16 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)
Gjykata: 30 ditë burg për Nazime Vishën, vrau 45-vjeçarin burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip