E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, shumë lojë, zero gola

Altin Manallari

Kuqezinjtë kanë dominuar Moldavinë, por nuk ditën të gjejnë rrugën e rrjetës

Altin Manallari

Shqipëria nuk ka mundur ta fitojë testin e fundit miqësor para eliminatoreve të Botërorit 2014. Kuqezinjtë janë ndalur te barazimi 0-0 nga një Moldavi modeste. Të paktë ishin tifozët që e mbështetën Kombëtaren në stadiumin Qemal Stafa të ndriçuar nga energjia elektrike e një gjeneratori, që bëri të harrohet konflikti me CEZ Shpërndarjen. Trajneri italian i kuqezinjve kishte menduar të zbriste në fushë kundër Moldavisë një formacion sulmues, të mbështetur te moduli 4-3-1-2, ku reparti ofensiv përbëhej nga dyshja Salihi-Çani. Ndërsa Bogdani kishte rezervuar një vend në stol. Porta i është besuar Ujkanit, ndërsa para tij rreshtohen katër mbrojtësit Cana e Mavraj në qendër dhe Dallku në të djathtë e A.Lila në të majtë. Në mesfushë ishin pozicionuar Vila, Bulku e Bakja, ndërsa Memushaj në rolin e organizatorëve pas dy sulmuesve. Ende pa u ngrohur mirë atmosfera, atëherë kur kronometri shënonte vetëm një minutë lojë, Edgar Çani ka humbur një rast të pastër për të shënuar, pas një krosi të marrë nga Vila, që i krijoi të ishte i vetëm me portierin Namasko. Kuqezinjtë luajnë shumë afër njëri-tjetrit dhe kjo i jep mundësi, jo vetëm të mbrohet mirë, por edhe të ushtrojë presing dhe të qarkullojë me më shumë lehtësi topin në mesfushën kundërshtare, të cilin e ka dominuar. Aksionet e Shqipërisë janë të shumta, por rastet për shënim nuk kanë qenë të shumta: një gjuajtje e Bulkut nga larg dhe një tjetër goditje e gabuar me kokë e Çanit nga shumë pranë. Kundërshtari në këtë pjesë të parë ishte inekzistent në fushë. Ndërsa ai që duket se nuk mundi të përshtatej me pjesën tjetër të ekipit ishte Memushaj, të cilit De Biazi i besoi rolin e organizatorit. Pjesa e parë, e mbyllur 0-0, u shpërdorua nga tanët, të cilët nuk i shfrytëzuan rastet. De Biazi kërkon të fitojë me çdo kusht, ndaj kryen tre zëvendësime në dhomat e zhveshjes: Ujkani, Çani dhe Memushaj ia lanë vendin Berishës, Bogdanit dhe Roshit. Pak pasi nisi pjesa e dytë e ndeshjes, u fut edhe Hyka për Bakajn. Dhe dy raste të njëpasnjëshme vijnë të dy në minutën e 57, me gjuajtjen e Bogdanit që grushtohet nga portieri dhe goditja me kokë e Canës që përfundon shumë pranë shtyllës. Edhe Salihi lë fushën e lojës, në vend të tij u fut mesfushori Hair Zeqiri, ndërsa Agolli për Vilën. Një gabim në vendosje i mbrojtjes tonë krijon edhe rastin e vetëm të miqve në minutën e 73, por fati është me portierin Berisha, pasi topi kalon pranë shtyllës pingule. Shqipëria, edhe pse administroi lojën për gjatë gjithë 90 minutave, duket se i mungoi fantazia në manovrat sulmuese përballë moldavëve modestë. Rasti i gjuajtjes së gabuar të Mavrajt në minutat shtesë i vuri kapakun barazimit 0-0. Ndërsa De Biazi tashmë duhet të shpresojë që golat kuqezinjtë ti kenë ruajtur për Qipron.

Salihi ne ndeshjen Shqiperi Moldavi 0-0 Hyka ne ndeshjen Shqiperi Moldavi 0-0 Cana ne Shqiperi Moldavi 0-0 Bulku ne Shqiperi-Moldavi 0-0

Fantazia

Mesfusha nuk funksionoi për nxjerrjen e topit përpara, ndërkohë që në total loja voluminoze e Kombëtares kuqezi çaloi edhe për hir të mungesës së fantazisë

Sulmi

Shqipëria administroi lojën, duke qarkulluar topin, por mungesa e golit erdhi edhe për shkak të efikasitetit të sulmit, i cili nuk shfrytëzoi rastet që iu dhanë

Homazh Medin Zhegës

Para fillimit të ndeshjes u mbajt një minutë heshtje për Mehdin Zhegën, një nga figurat e mëdha të futbollit shqiptar, i cili u nda nga jeta gjatë muajit qershor

Precedentët

Kjo ishte ndeshja e tretë që Shqipëria luan kundër Moldavisë. Dy të parat kanë qenë zyrtare, të vlefshme për Euro 1996, dhe janë fituar nga Kombëtarja jonë: E para 3-0 në Tiranë (29 mars 1995), dhe e kthimit 3-2 në Moldavi. Kjo e fundit ishte edhe fitorja e parë e Shqipërisë jashtë fushës së saj.

Shqipëria, shumë lojë, zero gola burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›