Zhdukja e ish-efektivit, familjarët: Të zbardhet ngjarja

Ende nuk ka asnjë gjurmë për ish-efektivin e policisë, punonjës i fabrikës së tullave në Fushë-Krujë, Anton Prendi. Ai rezulton i zhukur që nga data 5 gusht dhe policia ende nuk ka arritur të zbulojë asgjë mbi këtë mister.
Djali i tij 17 vjecar, Elvis Prendi, dhe bashkëshortja Bardha Prendi i bëjë thirrje Policisë së Shtetit të zbardhë sa më shpejt këtë ngjarje sepse gjendja në shtëpinë e Prendit, thonë familjarët, është e padurueshme.
47 vjecari Anton Prendi ne datën 5 gusht është nisur me biçikletën e tij, si zakonisht për në punë, ka marrë bukën me vete dhe është përshendetur me të bijën te porta. Ka qenë ora 06.30. Që prej atij momenti, askush nga familja s`e ka parë më Antonin, askush nuk ka dëgjuar asnjë fjalë për ekzistencën e tij.
Antoni është babai i tre fëmijëve, i dy vajzave dhe i një djali, dhe është zhdukur vetëm 500 metra nga rruga kryesore e Fushë-Krujës, dhe po aq metra pa shkuar në portën e fabrikës së tullave, ku Antoni punonte si furrtar i pjekjes së tullave.