Gjykata, 8 vjet burg për Tuzin, tentoi të vriste fqinjin
Vendimi
TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, e kryesuar nga gjyqtari Kreshnik Omari vendosi të deklarojë fajtor të pandehurin Osman Tuzi për veprën penale të " Vrasjes me paramendim" të mbetur në tentativë dhe "armëmbajtjes pa leje" dhe duke e dënuar përfundimisht me 8 vjet heqje lirie.
Sipas diapozitivit të vendimit me nr. 117 të togave të zeza, i pandehuri Tuzi ka tentuar të vrasë mesditën e 25 shkurtit të vitit 2008 në fshatin Ibë të komunës Bërzhitë në kryeqytet, shtetasin 51- vjeçar Neki Cenalia, ku për pasojë ka mbetur i plagosur. Shkak për këtë tentim vrasjeje, sipas vendimit, ka qenë konflikti disamujor për një copë tokë që ndodhej mes pronave të dy familjeve Tuzi e Cenalia.
I pandehuri Tuzi, megjithëse vuante nga një sëmundje e rëndë, mesditën e 25 shkurtit 2008 ka dalë nga banesa me pushkën e tij "model 56" duke u nisur për në pronën ku 51- vjeçari Cenalia kishte hyrë për të punuar, që familja Tuzi pretendonte se është e tyre. Me të parë viktimën në tokë, i pandehuri ka qëlluar në drejtim të tij, duke e lënë të plagosur ndërsa vetë është arrestuar pak minuta më pas nga forcat e policisë.
Edhe prokurori i çështjes, në leximin e konkluzioneve përfundimtare për shkak të moshës ë vjetër të të pandehurit kërkoi përfundimisht dënimin e tij me 8 vjet burg. Ndërsa, mbrojtësi ligjor dhe vetë i pandehuri kërkuan mëshirë nga gjykata, për shkak tëmoshës së vjetër të të pandehurit.