SHBA, interesohet për rastin e Servete Kullës
Një përfaqësues i ambasadës ka kërkuar të dhëna pas lirimit të të akuzuarit kryesor për vrasjen e saj
TIRANË- Përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së në kryeqytet, "interesohen" për dosjen e trafikimit dhe vrasjes së Servete Kullës në Itali, duke "përvetësuar" në tre shkallët e gjyqësorit nga një kopje të vendimit penale, të gjykimit të të pandehurve Kujtim Xhaferri dhe kushëriri i tij Genci Hysa tashmë i liruar me vendim të Gjykatës së Lartë.
Ka qenë lirimi i këtij të fundit nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë pak ditë më parë, që ka shtyrë përfaqësuesit të Ambasadës së SHBA-së të zbarkojnë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Apelit të Krimeve të Rënda dhe Gjykatës së Lartë, duke "sekuestruar" nga një kopje vendimi të çështjes në ngarkim të dy të pandehurve.
Ky fakt konfirmohet nga burimet zyrtare pranë togave të zeza të tre shkallëve të gjyqësorit, të cilët shtuan se "lirimi i të pandehurit Genci Hysa nga burgu dhe pushimin e akuzës ndaj tij, ka bërë që të interesohet edhe sektori i departamentit të drejtësisë pranë Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, duke marrë nga një kopje vendimi",-thuhet nga burimet.
Sipas tyre, publikimi në media i lajmit të lirimit të shtetasit Genci Hysa nga Gjykata e Lartë, i dënuar nga Shkalla e Parë për Krime të Rënda me "burgim të përjetshëm" dhe nga Apeli me 25 vjet burg, për trafikimin, vrasjen dhe masakrimin e trupit të shtetases Servete Kulla në prill të 2002 në Chiavari - Lavanja të Xhenovës në Itali.
Nuk bëhen të ditur shkaqet e interesimit të Ambasadës së SHBA-së për këtë vendim, por, burimet thonë se "donin të informoheshin me hollësi mbi këtë dosje, që është pretenduar nga Gjykata e Lartë se është gjykuar njëherë".
Sipas vendimit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë të dhënë vetëm pak ditë më parë, mësohet se të pandehurit Kujtim Xhaferri dhe Genci Hysa janë hetuar dhe gjykuar në Itali njëherë për rastin e Servete Kullës, për këtë fakt ata nuk mund të gjykohen dy herë për të njëjtën vepër penale.
Por, sipas vendimit të Gjykatës së Kiavarit të Italisë, në vitin 2003 të pandehurit janë hetuar dhe gjykuar për kryerjen e veprës penale të "shtytjes për shfrytëzim prostitucioni" ndaj shtetases Servete Kulla, ku dhe janë deklaruar të pafajshëm.
Ndërkaq, në Shqipëri pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, të pandehurit janë hetuar e gjykuar për veprën penale të "trafikimit të femrave për prostitucion" me pasojë vdekjen e Servete Kullës; "trafikimin për prostitucion" ndaj dy motrave Lika dhe "shfrytëzimit për prostitucion në rrethana rënduese" ndaj dy shtetaseve të Moldavisë.
Për këto vepra penale në nëntor të vitit 2005 i pandehuri tashmë i liruar Genci Hysa është dënuar me "burgim të përjetshëm", ndërsa i pandehuri Kujtim Xhaferri me 25 vjet burg.
Në Gjykatën e Apelit në dhjetor 2005, përfundimisht i pandehuri Hysa është dënuar me 25 vjet burg, ndërsa Kujtim Xhaferri me 23 vjet burg. Por, Gjykata e Lartë pasi mori në shqyrtim rekursin vendosi të pushojë akuzat ndaj Hysës me argumentin se nuk mund të gjykohet një person dy herë për të njëjtën vepër penale, ndërsa i pandehuri Xhaferri u dënua vetëm me 15 vjet burg.
AKUZA: Servete Kulla u trafikua nga i fejuari
TIRANË- Sipas vendimeve të gjykatave, Genci Hysa në vitin 2000 është njohur me 19- vjeçaren Servete Kulla, dhe më pas është fejuar me të. Pas pak muaj fejesë, ata kanë emigruar në Itali.
Pas disa muajve, viktima është detyruar, të "prostituojë" në rrugë në mbikëqyrje të kushëririt të "burrit" Kujtim Xhaferri (Dani). Ai shfrytëzonte edhe dy motrat Teuta e Mirejat Lika dhe dy vajza nga Moldavia. Pas disa kohëve punë të detyruar, vajza është njohur me një nga klientët e saj me profesion avokat, i cili i kishte kërkuar martesë.
"Tutorët" e saj, pasi kishin marrë vesh këtë propozim drejtuar 21- vjeçares Kulla nga njëra prej motrave Lika që përdorej edhe si mbikëqyrëse e vajzave në trotuar, ata kanë kërkuar ta takonin.
Sipas akuzës, pasi e kishin takuar në një nga rrugicat e lagjeve Lavanja të qytetit Kiavari të Xhenovës, e kanë vrarë dhe copëtuar trupin, duke ia hedhur në një kazan plehrash. Ky krim mendohet se është bërë nga të pandehurit për t'i futur frikën vajzave tjera që punonin për ta. Më datë 25 prill 2002, rreth orës 3 të mëngjesit, trupi saj është gjetur i masakruar në kazanin e plehrave, që është identifikuar si Servete Kulla.