E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rojë kundër firmave të inerteve

• Shfrytëzimi pa kriter i inerteve në brigjet e lumit Drin, duke rrezikuar përmbytjen e banorëve të Bushatit, ka detyruar komunën të vendosë marrjen në ruajtje për 24 orë të zonës.SHKODER/ RITVAN DIBRA Policia e komunës është vënë në gatishmëri për të mos lejuar asnjë firmë, me aose pa licencë për të vepruar në gërmimin e bregut. "Shkaku për këtë vendim ekstrem të ndërmarrë nga komuna jonë, ka ardhur pasi 353 hektarë tokë, e cila deri në vitet '90 figuronte pyje dhe kullota është shfrytëzuar pa kriter. Kjo ka bërë që banorët e kësaj zone të rrezikohen nga përmbytjet, madje pak vite më parë situata ka qenë alarmante", shprehet Zef Hila, kreu i kësaj komune. Prej vitesh ka pasur një debat në lidhje me ndryshimin e pronësisë mbi këtë sipërfaqe toke nga Drejtoria e Pyjeve në komunën e Bushatit. Pas këtij veprimi, që prej 1 janarit ka qenë vetë kryekomunari Hila ai që ka dhënë urdhër për mbylljen e tyre. Gjithçka është bërë sipas një vendimi të Këshillit të Ministrave, ku përcakton ndryshimin e pronësisë për 353 ha tokë. Këto hektarë janë cilësuar si tokë e pyllëzuar, por që realisht është një sipërfaqe që për vite me radhë i ka shërbyer firmave të ndërtimit për sigurimin e inerteve. Megjithëse në dokumentacionin e Drejtorisë së Pyjeve ajo sipërfaqe figuronte pyje dhe kullota, por nga këqyrja e territorit ajo rezulton të jetë një terren i shfrytëzuar nga firmat e ndryshme të ndërtimit. Sipas Hilës, Drejtoria e Shërbimit Pyjor dhe Baseneve Ujore, duke e pasur në varësi direkte këtë sipërfaqe toke, edhe pse në territor të komunës së Bushatit, ajo për vite me radhë ka dhënë leje pa kriter për shfrytëzimin e kësaj toke. Kryetari i komunës së Bushatit i bën thirrje ministrit të Mjedisit, Lufter Xhuveli, të dërgojë një grup ekspertesh, të cilët do të verifikojnë gjendjen faktike të 353 hektarëve, që tashmë i janë rikthyer komunës. "Banorët dhe kryepleqtë e fshatrave janë mjaft të shqetësuar, pasi me gërmimet e bëra për nxjerrjen e materialeve inerte nga firmat e ndërtimit dhe prishjes së argjinaturës, mund të përballen me fatkeqësi të tilla, siç ishte përmbytja e vitit 2004 e fshatit Ashtë", deklaron Hila. Dëmi i madh i shkaktuar në këtë zonë nga hapja e gropave dhe prishja e argjinaturës së Drinit, i cili ka devijuar totalisht nga rrjedha, rrezikon përmbytjet e zonave përreth. Komuna Bushat me të marrë në pronësi të plotë këtë sipërfaqe, ka marrë masa parandaluese ndaj firmave të ndërtimit, të cilat marrin materiale inerte nga zona. Ekspertë të komunës, pasi kanë vendosur marrjen nën ruajtje 24 orë të këtyre sipërfaqeve si dhe u kanë dërguar njoftimet firmave përkatëse, kanë filluar të bëjnë edhe verifikimin e dëmeve të shkaktuara gjatë këtyre 18 viteve.353 hektaresipërfaqe toke përgjatë bregut të lumit Drin në Bushat të Shkodrës janë shfrytëzuar pa kriter, duke rrezikuar përmbytjen e zonës2 muajkanë kaluar nga koha e marrjes në shfrytëzim të zonës në Bushat nga vetë komuna, duke shmangur veprimtarinë e nxjerrjes së inerteve nga lumi Drin

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›