E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata Administrative, Dobjani i dërgon objeksionet parlamentit

Në projektligj, kërkohet që emërimi i gjyqtarëve të bëhet me propozim të Ministrisë së Drejtësisë dhe pëlqimin e KLD-së

TIRANË- Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, në një rekomandim drejtuar kryetares së Kuvendit dhe kreut të Komisionit të Ligjeve, i kërkon këtyre të fundit të vlerësojnë mendimet e institucionit që drejton, në lidhje me diskutimet për projektligjin "Për gjykimin e mosmarrëveshjeve Administrative dhe Organizimin e Drejtësisë Administrative", që ndodhet në këtë komision.


Sipas rekomandimit përkatës zyra e Dobjanit ka kërkuar të ndryshohet numri i gjyqtarëve në një proces gjyqësor, nga tre në një gjyqtar të vetëm në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe nga tre gjyqtarë në Gjykatën e Apelit dhe atë të Gjykatës së Lartë. Shkak për këtë ndryshim, sipas tij, do të jetë shpejtësia e gjykimit, që trupi gjykues me 3 apo pesë gjyqtarë domosdoshmërish e pengon përshpejtimin e gjykimit të çështjes brenda afatit 30 ditor sa është përcaktuar shqyrtimi i një çështjeje.
"Mendojmë se patjetër Gjykata e Shkallës së Parë duhet të gjykojë me gjyqtar të vetëm çështjen, Apeli dhe Gjykata e Lartë me nga tre gjyqtarë.


Në se ne do të bëjmë një gjykatë administrative që do te veprojë njëlloj si deri më tani, me tre gjyqtarë, afatet e gjykimit nuk do të respektohen, siç ka ndodhur prej kohësh vazhdon të mos respektohen,- thuhet në rekomandimin e Avokatit të Popullit. Gjithashtu, në këtë rekomandim kërkohet të ndryshohet edhe neni ku përcaktohet se tre gjyqtarët e një çështjeje e përcaktojnë vetë nga analiza e dosjes se cila çështje është komplekse dhe duhet gjykuar me tre gjyqtarë e cila vetëm me një gjyqtar.


"Përcaktimi i bërë në këtë nen duket jo i drejtë, pasi për të përcaktuar nëse çështja është me karakter kompleks apo jo, do të thotë që të tre anëtarët e trupi gjykues do t'i futen analizës në themel të çështjes.
Lënia në dorë në vijim të kësaj analize, vetëm mbi një nga anëtarët e trupit gjykues nuk ka kuptim, pasi ata kanë kryer gjysmën e punës, kanë krijuar në vetvete një gjykim mbi çështjen konkrete dhe mund fare mirë të shpallin argumentimin e saj, pa qenë e nevojshme t'ia lënë përgjegjësinë vetëm njërit.


Në këtë logjikë, duket nonsens përcaktimi se pa u shqyrtuar provat për çështjen konkrete, të mund të arrihet në konkluzion për karakterin kompleks ose jo të saj"-thuhet më tej në rekomandim. Dobjani ka kërkuar me ngulm që gjykimi i çështjeve në Shkallë të Parë të bëhet vetëm nga një gjyqtar.


Propozimet e gjyqtarëve


Në rekomandimin e tij, bie në sy edhe propozimi për ndryshimin e një fjale në nenin ku përcaktohet propozimi i gjyqtarëve për në Gjykatën Administrative. "Propozimet pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë për emërimet e gjyqtarëve t'i bëjë Ministria e Drejtësisë, por me pëlqimin e anëtarëve të KLD-së dhe jo të mjaftohet me marrjen e mendimit nga këto të fundit. Ndryshimi i mësipërm do t'i shërbejë pjesëmarrjes në procesin e ngritjes së strukturave përkatëse, të institucionit që do të kontrollojë veprimtarinë e zbatimit të ligjshmërisë në dhënien e vendimeve"- thuhet në rekomandim.

Kërkohet 6 muaj kohë për stafin


Gjithashtu, Avokati i Popullit kërkon që Gjykata Administrative t'i lihet 6 muaj kohë për të përgatitur dhe përzgjedhur stafin e personelit dhe administratës.


Në fund të mendimit të tyre Dobjani shprehet se "megjithatë, konstatojmë se mendimet dhe sugjerimet tona, të cilat ju kemi dërguar për variantin e mëparshëm të këtij projekt-ligji, nuk janë mbajtur parasysh, ndërkohë që një sërë parashikimesh të paqarta, jo te plota, apo edhe kontradiktore me njëra-tjetrën, vazhdojnë të pasqyrohen në variantin aktual të këtij projekt-ligji. Po kështu, ka dispozita të caktuara të cilat janë të paqarta dhe që bien në kundërshtim me përmbajtjen e dispozitave të tjera të projekt-ligjit".


Çështjet që pritet të shqyrtojë Gjykata Administrative

TIRANË- Çështje të tilla si në fushën imobiliare, rasti i ndërtimeve të ngritura pa leje ndërtimi; në fushën e marrëdhënieve të punës të nëpunësit civil, çështjet e shërbimit civil, disiplina në këtë shërbim dhe largimet prej punës, pritet të jenë ndër çështjet që do të shqyrtohen nga gjykata Administrative.


Më tej ajo pritet të gjykojë edhe çështje në fushën fiskale, për taksat e tatimet, në fushën e përgjegjësisë civile të administratës, padi që kërkojnë të angazhojnë përgjegjësinë e shtetit apo të bashkësive vendore, në shumën deri 8000 euro. Pjesë e gjykimit të saj pritet të jenë edhe kundërvajtjet administrative, pensionet, ndihma sociale, komunikimi dhe informacioni, dokumentet administrative, etj.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›