Robert Bosch; Aplikoni dënimet alternative, ulni mbipopullimin në burgje
Kreu i Prezencës së OSBE-së deklaroi në seminarin trajnues se aplikimi i Shërbimit të Provës do të ulë ndjeshëm kostot e larta financiare dhe sociale. Një gjyqtar dhe një punonjës i shërbimit të provës nga Gjermania paraqitën praktikat më të mira të vendeve të Bashkimit Evropian, si modele të mundshme për Shqipërinë
Aplikoni sa më shumë dënimet alternative, për të ulur mbipopullimin në burgje, si dhe për të ulur kostot financiare. Ky ka qenë apeli që ambasadori i Prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Robert Bosch, u ka bërë gjyqtarëve dhe prokurorëve të pranishëm në një seminari trajnues në Shkodër. “Shërbimi i provës është një hap pozitiv që do të ulë mbipopullimin e burgjeve. Burgimi i panevojshëm duhet të shmanget, pasi ka kosto të lartë financiare dhe sociale”, - u shpreh kreu i OSBE-së në Shqipëri. Seminari synoi t’i bënte praktikat e dënimit më efikase dhe uniforme, si dhe të qartësonte për gjyqtarët dhe prokurorët ndryshimet në ligj. Seminari i zhvilluar dje në Shkodër, por që pritet të shtrihet edhe në qytete të tjera, ku pjesëmarrës janë gjyqtarë dhe prokurorë, u përqendrua në mënyrën e funksionimit të shërbimit të provës dhe në bashkëpunimin mes gjyqtarëve e prokurorëve me punonjësit e shërbimit të provës. Një gjyqtar dhe një punonjës i shërbimit të provës nga Gjermania paraqitën praktikat më të mira të vendeve të Bashkimit Evropian, si modele të mundshme për Shqipërinë. Një seminar i ngjashëm u zhvillua më herët në Tiranë dhe seminare të tjerë do të mbahen muajin e ardhshëm në qarqet e Vlorës dhe Gjirokastrës. Seminaret janë pjesë e përpjekjeve të përbashkëta të organizatave ndërkombëtare, për t’i ofruar ndihmë teknike reformës gjyqësore në Shqipëri. Pjesë e këtyre përpjekjeve ka qenë edhe mbështetja që i është dhënë Ministrisë së Drejtësisë në ngritjen e Shërbimit të Provës, përfshirë ndihmën në hartimin e legjislacionit, mbështetjen për trajnuesit dhe punonjësit e shërbimit të provës, si dhe përgatitjen e një manuali për këta të fundit. Seminar me gjyqtarë e prokurorë për përdorimin e alternativave të dënimit me burgim përfundoi dje në Shkodër, i organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës dhe UNCEF-in. Kursi trajnues u bë pas ndryshimeve në Kodin Penal, të cilat parashikojnë më shumë alternativa të dënimit me burgim dhe pas ngritjes së institucionit që mbikëqyr zbatimin e këtyre dënimeve. Efikasitetin e Shërbimit të Provës e deklaroi pak ditë më parë edhe kreu i Burgjeve, Gazmend Dibra, i cili deklaroi se është ulur ndjeshëm mbipopullimi në burgje falë nisjes së punës së këtij shërbimi.