Vendimi; Trafiku i drogës, “Karaburun 2006”, 152 vite burg për 15 të pandehurit
Trafiku i lëndëve narkotike iu ka kushtuar një shekull e gjysmë burg 15 të pandehurve. Gjykata e Krimeve të Rënda ka dënuar dje me 152 vjet burgim të pandehurit e arrestuar në sajë të operacionit të koduar “Karaburun 2006”. Kështu togat e zeza të kryesuara nga gjyqtari Dritan Halluaj shpallën fajtor dhe dënuan me 10 vjet burg secili për të pandehurit Alket Muçaj, Arben Maskaj, Blenard Ali, Blerim Shehaj, Frederik Ali, Kujtim Drazhi, Laurent Pashaj, Roland Kapxhiu, Spartak Myslymi, Genci Arapi dhe Mikele Guarino. Të gjithë të pandehurit kanë përfituar ulje dënimi për shkak se ishin duke u gjykuar me gjykim të shkurtuar. Pas aplikimit të 1/3-ës së uljes së dënimit, secilit nga të pandehurit iu mbetet nga 6 vjet e 8 muaj burg për të shlyer. Po dje gjykata ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me 11 vjet burg secilin, Mustafa Zaho dhe Selam Binaj. Dy të pandehurit do të vuajnë nga 7 vjet e 4 muaj burg secili. Për të pandehurin Edmond Beqiri gjykata dha dënimin e saj me 13 vjet, ndërsa me gjykimin të shkurtuar Beqiri do të vuajë 8 vjet e 8 muaj burg. I fundit i grupit, Hysen Mehmeti, është dënuar me 7 vjet burg, me aplikim të një të tretës së uljes së dënimit, 4 vjet e 8 muaj burg. Gjatë seancës së djeshme, të pandehurit kanë reaguar shumë ashpër pas vendimit të dhënë, duke akuzuar prokurorinë dhe gjykatën për masat e dënimit. Sipas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ka rezultuar se në datën 1l shtator të vitit 2006 rreth orës 08:00 në plazhin e Pish-Paros të Komunës Levan-Fier, afër një pylli është gjetur një mjet lundrues gomone me gjatësi 4.3 m dhe gjerësi 1.8 m, ku në brendësi të saj është gjetur një bidon plastik me ngjyrë tulle i mbushur me lëndë djegëse me ngjashmëri të benzolit. Ky mjet ishte i pajisur me një motor të markës “Mercyri” 150 Kf. Po në këtë datë rreth orës 13:00 në një parcelë toke janë gjetur tre koli të mbështjella me natriban ngjitës, ku në brendësi të tyre është konstatuar lëndë narkotike kanabis sativa, me peshë totale 93 kg e 780 gram. Nga hetimet rezulton se Bernard Ali dhe Frederik Ali kanë rënë dakord me Blerim Shehaj për të gjetur lëndën narkotike, të cilën ky i fundit ka arritur ta sigurojë. Ndërkohë për gjetjen e mjetit lundrues, Bernardi ka bashkëpunuar me Genci Arapin dhe me personin e quajtur “Tani” ose Vasil Shabani, të cilët kanë bërë të mundur gjetjen dhe përgatitjen e skafit, për të lëvizur bashkë me lëndën narkotike drejt Italisë.