E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata Kushtetuese, Topi: Zëvendësimet bëhen në shtator



Presidenti i Republikës, Bamir Topi tha dje se në shtator do të bëjë dekretimet e tjera për vendet vakant në Gjykatën Kushtetuese. I pyetur dje nga gazetarët, lidhur me mandatin e përfunduar të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, pas takimit me Presidentin kosovar Sejdiu, Topi tha se ai ka të drejtën e vazhdimit të detyrës. "Sigurisht që unë jam i kujdesshëm në të gjitha procedurat. Besoj që kur bëni pyetjen, duhet ta dini edhe rregullimin ligjor e kushtetues. Asgjë nuk e pengon Kryetarin aktual të Gjykatës Kushtetuese të ushtrojë detyrimet e tij, por besoj që fillimi i sesionit të ri parlamentar do të sjellë edhe emra të rinj, që nuk kanë të bëjnë vetëm me kryetarin, por edhe me anëtarë të tjerë që janë të detyruar për të plotësojnë vendet vakante", u shpreh Presidenti i Republikës. Ndërsa kreu i ekzekutivit ia la përgjegjësinë Presidentit të Republikës mos zëvendësimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilëve u ka mbaruar mandati. "Unë gjykoj se zbatimi i Kushtetutës është zgjidhja dhe detyrimi i qytetarit, i Kryeministrit, i Presidentit, i cilitdo", u shpreh Kryeministri Berisha. Mandati i kryetarit të Gjykatës Kushtetuese ka përfunduar në muajin qershor, ndërsa ende nuk është bërë zgjedhja e kryetarit të ri. Kjo ka sjellë dhe ngërç në funksionimin e gjykatës dhe nga ana administrative, pasi me mbarimin e mandatit të kryetarit, ai nuk ka të drejtë ligjore të ushtrojë këtë funksion.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›