E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kutitë, zgjidhja shtyhet në shtator



Aristir Lumezi

Zgjidhja e krizës politike shtyhet për në shtator. Debati për SHISH-in, por dhe mbyllja e sesionit veror të Parlamentit e bëjnë të pamundur vazhdimin e negociatave dhe gjetjen e zgjidhjes politike për krizën. PS dhe PD janë vendosur në Parlament në pozicionet e tyre klasike "luftarake" përballë projektligjit të SHISH-it, duke mos lënë asnjë hapësirë për të gjetur një gjuhë të përbashkët që do të ndihmonte negociatat dhe gjetjen e një zgjidhje të pranueshme për palët. Seanca e së hënës, e fundit për këtë sesion, do të jetë e fokusuar krejtësisht tek buxheti, i cili pasi mori miratimin në parim do të votohet dhe nen për nen, ndërsa socialistët do të jenë në seancë ku nëse sillet për votim ligji i SHISH, ata bashkë me kundërshtimin që LSI i ka bërë këtij drafti, të votojnë kundër tij për ta rrëzuar. Përfundimi i suksesshëm i negociatave politike, mes Ruçit dhe Patozit, do të çonte në miratimin në Parlament të ngritjes së komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet. Konsensusi parlamentar mes dy forcave do të duhet të përcaktojë qartë objektin e këtij komisioni hetimor, ku do të jenë saktësuar dhe qëndrimi ndaj fletëve të votimit. Dy takimet zyrtare mes krerëve të grupeve parlamentare PS-PD, Ruçi dhe Patozi nuk sollën asgjë të re, përveç artikulimit të pozicioneve të deklaruara kohë më parë prej tyre. Fati i fletëve të votimit ndan palët dhe mban zgjidhjen larg. Demokratët kanë qartësuar që në nisje të negociatave, se fletët e votimit duhet të asgjësohen në momentin e hetimit të materialeve zgjedhore, ose të mos asgjësohen deri sa Komisioni i Venecias të japë opinion e vet rreth tyre, pas kërkesës që socialistët duhet t'i drejtojnë këtij institucioni. Ndërsa socialistët u kërkojnë demokratëve që t'i drejtohen bashkarisht Komisionit të Venecias përmes kryetares së Parlamentit, gjë që nuk është pranuar nga demokratët. Në fakt dy javët e fundit kanë munguar akuzat politike për hetimin e zgjedhjeve nga të dy kampet, në mënyrë që të mos prishin klimën e negociatave. Madje në dy daljet me gazetarët, kreu socialist Edi Rama e ka trajtuar krizën politike në periferi, duke u fokusuar te treguesit ekonomikë.

"Hetimi për materialet zgjedhore"
Rezoluta e Parlamentit Europian kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor, ku shumica dhe kryetari duhet të përcaktohen nga opozita, i cili do të hetojë zgjedhjet e 2009. Rezoluta përcakton "hetimin e materialeve zgjedhore" nga ky komision hetimor. Duke iu drejtuar forcave politike për zgjidhjen e krizës, rezoluta përsërit konkluzionet e Këshillit të Ministrave të Jashtëm se është momenti final për gjetjen e zgjidhjes ndaj krizës aktuale politike, dhe është përgjegjësi e Qeverisë shqiptare së bashku me opozitën për të gjetur siç duhet, në mënyrë transparente dhe në respekt të plotë me Kushtetutën shqiptare, zgjidhjet e nevojshme për rrugën e vendit drejt BE-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›