Gjykata Kushtetuese, avokatët, kundër rrëzimit të Kostës
Vendimi i Kuvendit të Shqipërisë për rrëzimin e kandidaturës së Vangjel Kostës për anëtar të Gjykatës Kushtetuese ka sjellë reagimin e Dhomës Kombëtare të Avokatëve të Shqipërisë. Kreu i saj, Maksim Haxhia, nëpërmjet një deklarate për shtyp e ka konsideruar si të padrejtë vendimin e Kuvendit, duke pohuar se Vangjel Kosta është një nga juristët më të shquar dhe me përvojë të gjatë në fushën e gjyqësorit. Haxhia tha se Dhoma Kombëtare e Avokatëve të Shqipërisë mbështet nismën dhe punën e kujdesshme të realizuar, deri me tani, nga Presidenti i Republikës, për të mos lejuar përfshirjen e kandidaturave që nuk plotësojnë kriteret e profesionalizmit dhe integritetit të lartë personal në konstituimin e gjykatave më të larta të vendit, por nga ana tjetër kundërshton skualifikimin apriori të kandidaturave të cilat kanë qenë pjesë e sistemit gjyqësor para viteve 90. Ai shton më tej se Dhoma Kombëtare e Avokatëve të Shqipërisë i bën thirrje Kuvendit të Shqipërisë të përfshijë në procesin e verifikimit të kandidaturave atë dhe aktorë të tjerë të interesuar për funksionimin sa më të mirë të sistemit të drejtësisë shqiptare.