Thirrja e BE-së: Zgjidhje kushtetuese, të qëndrueshme
BE i bën thirrje kreut të qeverisë dhe kreut të opozitës për të marrë përgjegjësinë për gjetjen e një rruge përpara
Pak orë pas takimit në Strasburg, titullarët e lartë të BE-së bëjnë apel për zgjidhje të shpejtë dhe të qëndrueshme në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit. BE i bën thirrje kreut të qeverisë dhe kreut të opozitës për të marrë përgjegjësinë për gjetjen e një rruge përpara, në mënyrë të qëndrueshme dhe të shpejtë në një linjë me aspiratat e qytetarëve të Shqipërisë, Kushtetutës dhe parimin e transparencës. Catherine Ashton, komisionere e Jashtme e Bashkimit Evropian dhe Stefan Fule, komisioner për Zgjerimin dhe Politikat e Fqinjësisë, përmes një deklarate të përbashkët në kuadrin e negociatave Rama-Berisha, me ndërhyrjen e Brukselit zyrtar gjykojnë se është momenti i zgjidhjes reale dhe ligjore për zgjidhjen e ngërçit politik.
Ata përshëndetën nismën e europarlamentarëve Joseph Daul dhe Martin Schulz, që në emër të grupeve të tyre parlamentare që përfaqësojnë në PE, kanë dhënë kontributin në inkurajimin e përmirësimeve efektive të situatës politike në Shqipëri për të mirën e qytetarëve si edhe me qëllimin e përmirësimit të perspektivës evropiane të këtij vendi.
Është koha për të gjetur një zgjidhje për krizën e tanishme politike në Shqipëri, e cila duhet të jetë e qëndrueshme dhe e shpejtë, në përputhje me aspiratat e qytetarëve të këtij vendi, Kushtetutën e tij dhe parimin e transparencës, - shprehen në deklaratën e përbashkët Ashton dhe Fule. Përfaqësuesit e Lartë për Çështje të Jashtme dhe politikën e sigurisë Catherine Ashton dhe komisioneri i Stefan Fule, e konsideruan iniciativën e deputetëve të PE-së, Joseph Daul dhe Martin Schulz, inkurajim për përmirësimet efektive të situatës politike në Shqipëri për të mirën e qytetarëve të vendit dhe me një synimin për të përmirësuar perspektivën në BE të Shqipërisë. Titullarët evropianë nënvizojnë faktin se pikërisht Shqipëria është në një moment vendimtar në rrugën e saj drejt integrimit në BE, e pikërisht për këtë, një sërë sfidash të saj të brendshme politike kërkojnë kurajo. Por Fule dhe Ashton pohojnë në mënyrë të qartë se BE-ja është e shqetësuar seriozisht për bllokimin e vazhdueshëm politik të situatës në këtë vend, si dhe për parlamentin jofunksional, prandaj vlerësojmë se është koha për të gjetur një zgjidhje për krizën e tanishme në një bazë që i qëndron perspektivës së Shqipërisë.