E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti: Në një vit, vetëm 750 mijë turistë nga 2.5 milionë të pretenduar

INSTAT: Një pjesë e madhe e të huajve shpenzojnë vetëm pak orë tek ne. Turistët e huaj nuk qëndrojnë më shumë se dy net në Shqipëri

Ervin KOÇI

Numri i turistëve që kanë vizituar Shqipërinë gjatë një viti ka qenë shumë më i ulët nga sa është pretenduar nga Ministria e Turizmit. Gjatë një periudhe njëvjeçare, vendin tonë e kanë vizituar gjithsej 750 mijë turistë të huaj nga 2.5 milionë që pretendohej nga parashikimet e Ministrisë së Turizmit. Por edhe pjesa më e madhe e këtyre turistëve kanë qenë kalimtarë, ose më mirë nuk kanë qëndruar më shumë se një natë në vendin tonë. Sipas një raporti të Institutit të Statistikave, pjesa më e madhe e të huajve që kanë vizituar Shqipërinë gjatë vitit të kaluar u rrit me 26 për qind në 1.4 milionë vetë, por kohëzgjatja e qëndrimit të tyre në Shqipëri ka qenë fare e shkurtër. "Gjatë vitit 2008, numri i shtetasve të huaj që kanë vizituar Shqipërinë është rritur 26 për qind krahasuar me vitin 2007, kjo kryesisht nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, si dhe numri i klientëve të akomoduar në hotele është rritur 23.9 për qind në vitin 2008 në krahasim me vitin e kaluar. Mesatarja e net-qëndrimeve në hotele për 2008-n ishte 2.3", - bën të ditur INSTAT në raportin e tij.

Manipulimi i shifrave

Shumë zyrtarë të qeverisë u mburrën gjatë gjithë vitit të kaluar me "bumin e sektorit të turizmit". Sipas Ministrisë së Turizmit, "në periudhën janar-gusht 2008, Shqipëria u vizitua nga 2.5 milionë turistë të huaj". Por kjo shifër del krejtësisht e gënjeshtërt. Të dhënat e INSTAT-it u referohen statistikave të kalimit të kufirit që grumbullohen nga Ministria e Brendshme. Vizitat e të huajve në Shqipëri kanë njohur që prej një dekade ritme rritjeje mbresëlënëse prej rreth 20 përqindësh në vit, por problemi është se shumica dërrmuese e tyre futet në kategorinë e vizitorëve ditorë, të cilët nuk kalojnë as edhe një natë në vendin tonë. Mesatarja e qëndrimit të tyre në hotele është vetëm 2.3 net për vizitor, ku kosovarët udhëheqin me qëndrime më të gjata. Shqipëria ka zyrtarisht rreth 220 hotele me kapacitet të përbashkët prej 10 mijë shtretërish. Këtu futen hotelet që kanë më shumë se pesë dhoma. Kapaciteti hotelier i vendit nuk është në gjendje të përballojë as fluksin e turistëve vendës.

Turistët biznesmenë
Ndonëse klasifikohen si turistë të huaj, një pjesë e konsiderueshme e vizitorëve që kalojnë kufirin shqiptar janë njerëz që vijnë për punë në Shqipëri. Pavarësisht kësaj, shërbimet për të huajt prodhojnë një biznes prej gjysmë miliardi eurosh në vit për Shqipërinë, para që humbasin zakonisht nga udhëtimet që shqiptarët kryejnë jashtë vendit. Të dhënat zyrtare tregojnë se vizitorët e huaj kanë shpenzuar shumë pak para deri tani për pushimet verore. Ndërkaq, sipas informacioneve që vijnë nga pronarët e hoteleve, bareve, restoranteve dhe plazheve private, mesatarja e qëndrimit të turistëve, ku përfshihen dhe shtetasit kosovarë e maqedonas, është pak më shumë se dy net fjetje. Pikërisht, sipas tyre, një praktikë e tillë sjell të ardhura të pakta. Po ashtu, agjencitë turistike deklarojnë për prenotime minimale deri tani.

10 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›