E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata Kushtetuese nis shqyrtimin e kërkesës për pagat e gjyqtarëve

Autori i Lajmit: Romir Saraçi
Ka nisur dje shqyrtimi i kërkesës së Unionit të Gjyqtarëve për pagat e reja të miratuara me ligjin e fundit për gjyqësorin. Gjykata Kushtetuese nisi shqyrtimin e kërkesës së dytë të Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë. Ata e cilësojnë si antikushtetuese atë pjesë të ligjit që cilëson mënyrën e pagesës së gjyqtarëve të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, pasi, sipas tyre, cenohet parimi i pavarësisë ekonomike. Unioni kërkon që gjykata të "shfuqizojë si të papajtueshëm me Kushtetutën të një pjese "të ligjit mbi organizimin e pushtetit gjyqësor” për pagat e gjyqtarit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, sipas së cilës ajo është e barabartë me 50% të pagës së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë dhe fjalëve "mbi këtë pagë, për kushte të veçanta pune, shtohet 10%". Përfaqësuesit e Unionit të Gjyqtarëve, Sandër Simoni e Luan Hasneziri, argumentuan para Gjykatës Kushtetuese se ligji "Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor", me dy fjalitë e sipërpërmendura cenon parimin e sigurisë ekonomike dhe nenin 138 të Kushtetutës që sanksionon se "pagat dhe përfitimet e tjera të gjyqtarëve nuk mund të ulen". Ata mbrojtën dhe statusin e veçantë që ligji u njeh gjyqtarëve të Gjykatës për Krime të Rënda. Përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë kërkoi rrëzimin e kërkesës, duke argumentuar se ajo ishte e pabazuar në ligj dhe fakte.
Kundërshtimi
Nga ana tjetër, përfaqësuesja e Ministrisë së Financave, Mimoza Dhëmbi, sqaroi para Gjykatës Kushtetuese se ligji i ri ka pasur si qëllim krijimin e një hierarkie pagash, bazuar në kriterin e karrierës dhe sigurimin e rritjes së mëtejshme të pagës për gjyqtarët. Ajo pranoi se ligji i ri prek disa paga gjyqtarësh të krimeve të rënda, por, sipas saj, numri i tyre është shumë i vogël në raport me përfituesit e tjerë në radhët e sistemit gjyqësor. Kërkesa e radhës së Unionit është e dyta për këtë organizatë. Unioni i Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka ankimuar para Gjykatës Kushtetuese ligjin "Për organizimin e pushtetit gjyqësor" dhe për lejet vjetore.
Ndryshimet në ligj
Kërkesat e gjyqtarëve për ndryshimet që i janë bërë ligjit kanë konsistuar në "Organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor", se dispozitat e tij bien ndesh me Kushtetutën e vendit. Ankesa është bërë konkretisht për ndryshimet e fundit që janë bërë mbi këtë ligj të miratuar së fundmi nga Kuvendi. Ndër to, janë nenet më të debatueshme dhe në Komisionet Parlamentare të Kuvendit, si ai për kancelarin e gjykatës, për të cilin shoqatat ankohen se merr kompetenca të mëdha, duke ia kaluar dhe kryetarit të gjykatës. Si dhe fakti se kancelari emërohet nga ministri i Drejtësisë, fakt që shoqatat e gjyqtarëve e quajnë një ndikim politik. Por ajo që ka shqetësuar më shumë gjyqtarët është çështja e pagave. Ata kërkojnë rritje të pagave, pasi mënyra e re për pagesat, sipas tyre, është në kundërshtim me Kushtetutën. Në bazë të ligjit të ri, pagat e gjyqtarëve do të përcaktohen në bazë të karrierës së tyre.
Ky lajm është publikuar: 08/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›