Gjykata Kushtetuese nuk ka asnjë sugjerim për institucionet
Gjatë ditës pritet të bëhet publik vendimi i Gjykatës Kushtetuese me të cilin të hënën kjo Gjykatë shpalli antikushtetuese zgjedhjen e presidenti Behgjet Pacolli nga Parlamenti i Kosovës.
Mirëpo kjo Gjykatë nuk do të sugjeroj asnjë veprim për Kuvendin apo institucionet e Kosovës i tha Radio Kosovës, një burim brenda Gjykatës Kushtetuese. Bëhet gjithashtu e ditur se në vendimin që do t‘iu dorëzohet palëve, vetëm do të konstatohet shkelja e kryer ndërsa nuk do të ketë rekomandime.
Gjykata Kushtetuese nuk do të rekomandojë asgjë sa i përket veprimeve që duhet të ndërmarrin institucionet e Kosovës pas vendimit se gjatë zgjedhjes së presidentit Bexhet Pacolli është shkelur Kushtetuta.
Presidenti Pacolli gjatë një interviste për Radio Televizionin e Kosovës ka thënë se do të respektojë çfarë do vendimi që sjell Gjykata Kushtetuese. Ndërkohë Kuvendi i Kosovës është në pritje të vendimit të plotë për të diskutuar më pas veprimet që do të ndërmarrë.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka lëkundur edhe koalicionin qeverisës pasi zyrtarë të Aleancës Kosova e Re (AKR), kanë thënë se do të tërhiqen nga koalicioni në rast se Partia Demokratike e Kosovës (PDK), nuk e përkrah Behgjet Pacollin për rikandidim.
Një opsion tjetër është që ushtrues detyre i presidentit të jetë kryetari i Kuvendin Jakup Krasniqi në periudhë 6 mujore derisa partitë politike të merren vesh për një kandidatë për president. Ne rast se partitë nuk arrijnë marrëveshje për emrin e presidentit, ose në rast se nuk kemi një formulë tjetër qeverisëse që garanton shumicën në Kuvend, atëherë vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme. /rtk/