Gjykata Themelore rrezikon bllokimin

Mungesa e gjyqtarëve po bëhet shkas për zvarritjen e mijëra lëndëve.
Ndonëse kanë kaluar tre muaj nga starti i reformës në sistemin gjyqësor, lëndët administrative që tashmë janë nën kompetencën e Gjykatës Themelore të Prishtinës, rrezikojnë të bllokohen për shkak të numrit të gjyqtarëve.
Kur kanë kaluar tre muaj nga starti i reformës në sistemin gjyqësor, në gjykatat e rregullta ende është prezent një numër i madh problemesh. Lëndët administrative që tashmë janë nën kompetencën e Gjykatës Themelore të Prishtinës, rrezikojnë të bllokohen për shkak të numrit të gjyqtarëve.
Kreu i Gjykatës Themelore, Hamdi Ibrahimi, pohon se numri i lëndëve të pranuara është shumë i madh dhe, për pasojë, kërkohet edhe rritja e numrit të gjyqtarëve, shkruan 'KosovaSot'. Ndërsa situata rrezikon të bllokohet, shefi i Themelores justifikohet duke thënë se nuk ka ambiente për gjyqtarë të tjerë.
Pas startit të reformës me një problem kyç, atë të mosnjohjes së ligjit të ri nga gjyqtarët dhe prokurorët, çdo ditë e më shumë dalin në dritë edhe një sërë problemesh të tjera. Një nga problemet që evidentohet aktualisht është mungesa e gjyqtarëve, të cilët i mbulojnë lëndët administrative në Gjykatën Themelore të Prishtinës./Indeksonline/