E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata administrative, Alibeaj: Projekti, pjesë e përvojave më të mira

Komisioni parlamentar i Ligjeve shtyu dje miratimin e projektligjit “Për gjykatën administrative”, pasi deputetët e opozitës kërkuan më shumë kohë për t’u njohur me vlerësimet e Euraliusit, por ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i pranishëm në Komision, tha se projekti është pjesë e përvojave më të mira perëndimore. “Puna për hartimin e tij ka filluar në janar të këtij viti dhe ka përfunduar në muajin gusht. Projektligji është mbështetur në përvojën më të mirë perëndimore në këtë fushë dhe besoj se janë të gjitha premisat për të nxjerrë një produkt cilësor. Ekspertë të SIGMA-s, që kanë asistuar draftimin e ligjit, kanë ofruar një ekspertizë të vyer dhe e testuar mbi eksperiencat e suksesshme në vendet e BE-së”, - tha Alibeaj. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, tha se nga Euraliusi kanë ardhur disa vërejtje konkrete në lidhje me këtë projekt. Ministri Alibeaj tha më tej se projektligji është diskutuar prej muajsh me të gjithë aktorët. “Procesi i hartimit të këtij projektligji i është nënshtruar një konsultimi të gjerë me aktorët e interesit, duke filluar nga shoqatat e biznesit, të bankave dhe gjyqësorit, të cilët do të jenë dhe zbatuesit e këtij projektligji”, - tha Alibeaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›