Shtyhet vendimi i GJK-së për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve
Gjykata Kushtetuese shtyu dje vendimin për kërkesën e ish-të përndjekurve politikë për shfuqizimin e ligjit për dëmshpërblimin e kësaj shtrese, pasi mungonin palët mbrojtëse si nga Kuvendi, ashtu edhe nga qeveria. Vendimi do të jepet në ditët në vijim. Në relacionin që shoqëron kërkesën, Shoqata e ish-të Dënuarve Politikë denoncon që në krye të saj kompetencat që ligji i ka dhënë komisionit qeveritar për dëmshpërblimin e viktimave të sistemit komunist. Ish-të përndjekurit vlerësojnë se ky komision i ka dhënë të drejta vetes që në mënyrë antikushtetuese të bëjë veçimin nga e drejta për të fituar dëmshpërblim të rreth 4 mijë të pushkatuarve pa gjyq, duke i njohur këtë të drejtë vetëm 2 mijë prej tyre dhe pikërisht atyre që janë pushkatuar me gjyq brenda periudhës 30.11.1944 dhe 01.10.1990. Shoqata e ish-të Përndjekurve vlerëson se ky veprim është arbitrar dhe i kundraligjshëm, pasi ekzekutimi për motive politike i atyre 4 mijë të pushkatuarve pa gjyq është vërtetuar më parë nga një komision trepalësh i caktuar nga qeveria. Një tjetër pikë të cilën ish-të dënuarit politikë e konsiderojnë antikushtetuese, është edhe ajo që përcakton masën e dëmshpërblimit të familjarëve të të pushkatuarve. Ish-të dënuarit kanë vlerësuar se përcaktimi për dëmshpërblimin për ta kryer këtë proces brenda tetë vjetëve, është i papranueshëm, pasi është shumë i gjatë dhe shumë prej ish-të dënuarve nuk do ta gëzojnë dot atë, për shkak të moshës dhe vuajtjeve nëpër burgje. Ata e kanë cilësuar si të papranueshëm edhe përjashtimin nga e drejta për të përfituar dëmshpërblim të të gjithë atyre të dënuarve dhe të internuarve politikë, dokumentet e të cilëve nuk gjenden nëpër organet shtetërore.