Gjykata administrative, gati vitin e ardhshëm
Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj premtoi se projektligji është gati dhe se do të hyjë në axhendën e miratimit në Kuvend
Përfaqësuesit e biznesit shprehen të kënaqur. Gjykata e re duket se do të shkurtojë kohë dhe kosto
Me asistencë të Bashkimit Europian, një projektligj që synon të krijojë një gjykatë të dytë specifike në Shqipëri, është gati. Dje, ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj thirri për diskutime përfaqësues shoqatash biznesi mbi projektligjin që besohet se do të shkurtojë kohën e diskutimit gjyqësor të mosmarrëveshjeve administrative mbi taksat, gjobat tatimore e çështje të ngjashme mbi këto. Sipas Alibeajt, “vendimi i parë në gjykatën administrative do të jepet që vitin e ardhshëm”. Përfaqësues të biznesit e lavdëruan këtë hap.
Projektligji është hartuar nga ekspertët e një misioni europian të asistencës teknike të quajtur “Sigma”. Sipas prezantimit të zyrtarëve të programit, gjykata e re administrative do të jetë e specializuar në trajtimin e një kategorie çështjes, ndërsa do të ketë për detyrë edhe të shqyrtojë aktet administrative të institucioneve të ndryshme, nga vendimet për gjoba të institucioneve shtetërore deri te urdhëresat dhe rregulloret, për të parë përputhshmërinë e tyre me ligjin.
Gjyqet që kanë të bëjnë me çështje administrative, përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të proceseve gjyqësore dhe mbartin vlera shumë të larta financiare. Procedurat për të zgjidhur qoftë edhe gabime administrative, zgjasin për shumë vite dhe dëmet financiare janë të larta. Nga raporti i fundit i Bankës Botërore për lehtësinë e “të bërit biznes” në Shqipëri, nënvijëzohet fakti se mundësia që kanë shqiptarët për të detyruar zbatimin e një kontrate të parespektuar është shumë e vogël, zgjat shumë kohë dhe kushton shumë para. Për më tepër, duket se situata është përkeqësuar në këtë drejtim gjatë vitit të fundit. Për të zbatuar një kontratë, biznesmenëve të pyetur nga BB i është dashur të kryejnë 40 procedura të ndryshme që kanë zgjatur 390 ditë dhe i gjithë procesi ka kushtuar sa 40% e detyrimit kontraktual të arkëtuar. Në vitin 2005, po sipas raportit të BB, kostoja e arkëtimit të një detyrimi kontraktor të parespektuar, qe vetëm 23%.
Problemi më i madh me gjyqet administrative sot është procedura e tejzgjatur nga një shkallë gjykate te tjetra, që zakonisht shkon mbi tre vite. Por duke patur parasysh se mosmarrëveshjet mbi këto çështje lindin shpesh për shkaqe shumë të rëndomta, si gabime administrative etj., kostoja që detyrohet biznesi të paguaj është jashtëzakonisht e lartë. Programi i asistencës që ka hartuar projektligjin, vëren se krahas krijimit të gjykatës administrative, nevojitet një përmirësim dramatik në aftësinë e shtetit për të zbatuar vendimet e gjykatave.