E Shtunë, 31 Tetor 2026

Manjani: Administrata gjyqësore, drafti cenon pavarësinë e gjyqësorit

 

Ylli Manjani analizon projektin e përgatitur nga Ministria e Drejtësisë

TIRANË- Projektligji “Për Administratën Gjyqësore” cenon pavarësinë e gjyqësorit dhe le qytetarët pa shërbim gjyqësor. Ky është konstatimi që bën Partia Socialiste në lidhje me nismën më të fundit ligjore që qeveria ka paraqitur për miratim në Kuvendin e Shqipërisë, si pjesë e reformës së përgjithshme në sistemin e drejtësisë. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Sigurisë dhe Administratës Publike në selinë rozë, Ylli Manjani, duke analizuar projektin në tërësinë e vet, evidenton faktin se qeveria, pavarësisht se është zotuar që të bëjë një reformë gjithëpërfshirëse në sistemin e drejtësisë, vijon të paraqesë drafte ligjore që cenojnë pavarësinë e institucioneve dhe të vetë sistemit. “Në mungesë të vizionit për një reformë reale dhe të thellë të sistemit të drejtësisë, qeveria e Sali Berishës vazhdon të sjellë në Kuvend arna të patolerueshme që cenojnë pavarësinë e këtij sistemi”, - u shpreh Manjani gjatë një dalje të posaçme për mediat. Sipas selisë rozë ky projektligj përbën një tjetër përpjekje të mazhorancës për të ndërhyrë në pushtetin gjyqësor. “Me projektligjin për administratën gjyqësore, qeveria bën një tjetër tentativë për të legjitimuar ndërhyrjen e politikës mbi pushtetin gjyqësor. Ky projektligj tenton t'i japë të drejtë Ministrit të Drejtësisë të normojë me akte normative veprimtarinë e gjykatave”, - theksoi më tej Manjani. Duke u ndalur në pika të veçanta të këtij projekti, Manjani vëren se nisma, në vend që të ndërtojë një administratë gjyqësore të mirëfilltë në shërbim të publikut e të gjykatës, ajo krijon kushte që të mbajë nën mbikëqyrje gjykatat dhe vendimet që ato prodhojnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›