E Diel, 1 Nëntor 2026

Çeku: KLSH çoi në prokurori 130 zyrtarë për abuzime

 

Mbi 130 zyrtarë të lartë të administratës janë paditur nga KLSH në Prokurorinë e Përgjithshme për abuzime me fondet e shtetit

Kontrolli i Lartë i Shtetit për 9 muaj ka dërguar kallëzim penal ndaj 130 zyrtarëve të administratës shtetërore. Shifrat janë bërë publike nga kreu i këtij dikasteri Robert Çeku gjatë një prononcimi për gazetarët pas përfundimit të një aktiviteti mbi prezantimin e projektit të binjakëzimit CARDS 2004. Tenderët e rrugës dhe infrastruktura mbeten edhe pjesa më e preferuar e zyrtarëve për të vjedhur fondet publike. Deklarata ka ardhur nga Kreu i KLSH, Robert Çeku, i cili ka deklaruar se projekti i CARDS ka bërë që KLSH të jetë e gatshme të realizojë kontrolle financiare edhe të fondeve publike që mund të kenë destinacion vendet e tjera. Vetëm në një nga kontrollet e fundit të realizuara gjatë pjesës së parë të këtij viti, KLSH, ka konstatuar një dëm financiar që i kalon 20 milionë dollarë. Dëmi i konstatuar i përket periudhë 2005-2007 dhe një pjesë e madhe e institucioneve qeveritare kanë rezultuar me shkelje të rënda.

Masë tjetër e propozuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për zyrtarët abuzues janë propozime për largim nga puna. Çeku tha se rastet e abuzimeve me fondet e shtetit kanë ardhur duke u pakësuar, “jo me hapa të mëdha” me kalimin e viteve. Gjithsesi ka zyrtarë të administratës të cilët nuk zbatojnë ligjin, apo siç u shpreh kreu i KLSH, “paguhen për të bërë punën sipas ligjit, por kanë mendje tjetër...”.

Nga inspektimi i KLSH, konstatohet se abuzimet kryesisht kanë të bëjnë fondet për infrastrukturën rrugore. Nivelet e korrupsionit në administratë nuk kanë ndryshuar aspak, dhe një sërë ligjesh vijojnë të shkelen. Kontrolli i Lartë i Shtetit, filtri kryesor i zbatimit të ligjit në administratë, bën të ditur se rezultatet e luftës kundër korrupsionit janë minimale dhe abuzimet me fondet buxhetore janë të konsiderueshme. Kreu i KLSH, Robert Çeku, ka akuzuar disa segmente të administratës se nuk zbatojnë ligjet në lidhje me përdorimin e fondeve publike. Deklarata e kreut të KLSH-së, u bë gjatë mbylljes së projektit CARDS 2004, ku pasqyrohet edhe e gjithë veprimtaria dhe planet strategjike të KLSH-së gjatë viteve 2005-2008. Si gjithmonë tenderat vijojnë të regjistrojnë shkelje më të mëdha. Çeku tha se korrupsioni më i madh paraqitet ne prokurimet e infrastrukturës, ku dhe janë të përqendruara pjesa më e madhe e investimeve buxhetore.

Sipas Çekut, qëllimi kryesor ka qenë arritja e objektivave të parashikuar, me qëllim përshpejtimin e proceseve të ndryshme për arritjen e një standardi në përputhje me BE-në. Projekti i binjakëzimit CARDS 2004 në bashkëpunim me Britaninë e Madhe dhe Holandën synon të kontrollojë mënyrën e shpenzimit të fondeve të BE-së në Shqipëri. Projekti financohet nga fondi prej 1 milionë euro i Bashkimit Europian.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›