Gjykata administrative si nevojë e përbashkët
Ndjekim me vëmendje zhvillimet politike, që për nga termi nënkuptojnë ecje përpara në politikë, por që për hir të së vërtetës, janë më shumë zhgënjyese se inkurajuese si shkak i ngërçit politik. Të gjithë shqiptarët, pa dallim moshe apo zhvillimi intelektual, janë të fokusuar në (mos)hapjen e kutive të votimit. Është krijuar një ndjesi e pajustifikueshme, sikur ky proces teknik do të na hapë dyert e mirëqenës. Është koha të sillemi më të përgjegjshëm, të zgjohemi nga ëndrra dhe tu rikthehemi profesioneve tona, sepse një ngërç tjetër është shumë më i rëndësishëm sesa ai i lartpërmendur; ai i reformës në drejtësi. Mungesa (deri tani jo fizike) e opozitës në Parlament ka marrë një formë të re në funksionimin e saj për të bllokuar nismat për disa ligje themelore. Ligje, të cilat u shërbejnë shqiptarëve për ti liberalizuar vizat, por pikë së pari që të mund të zgjidhin problemet e tyre ligjore. Ky bllokim apo shantazh politik (i ligjshëm apo jo, spo e diskutoj) për të arritur disa pretendime të ngritura nuk vlerësoj se ndihmon asnjë qytetar, madje as ata socialistë, sepse edhe hallet ligjore të këtyre të fundit nuk zgjidhen në Parlament, por në gjykatë. Dhe shoqëria shqiptare spo merr ende gjykatën e saj administrative.
Nevoja për gjykatën administrative shkon gjithnjë e në rritje dhe kjo jo vetëm për biznesin, por më shumë për qytetarët e thjeshtë, të cilët ndihen të përbuzur nga burokracitë, padrejtësitë dhe abuzimet e administratës. Por për arsye akoma të paargumentuara opozita po bllokon një proces kaq jetik për shqiptarët. Ajo më shumë se opozita është e interesuar, në mos në integrimin evropian, të paktën për një kontroll të (mirë)funksionimit të administratës publike. Krijohet përshtypja e një konfuzioni të kësaj force politike në atë që do apo që kundërshton ose në atë që vërtet i duhet apo e rrezikon; qëndrimi për mosaprovimin e gjykatës administrative rrezikon institucionin e vetë opozitës, si forcë konstruktive në mbarëvajtjen e proceseve në vend. Le ta rishikojë qëndrimin e saj politik sa nuk është vonë dhe intelektualët të jenë të zhgënjyer.
Informimi i qytetarëve për qëllimin, juridiksionin dhe veçantitë e gjykatës administrative është një detyrim politik i institucioneve të drejtësisë, pasi siç dihet, shteti, si pasojë e totalitarizmit në aparatin shtetëror në kohën e diktaturës, nuk u krijonte mundësitë shtetasve të tij të ndiheshin si të barabartë me shtetin, por ishin plotësisht të pambrojtur. I vetmi institucion ku ankimoheshin padrejtësitë, ishte partia, fakt ky ndofta për moshat e reja i pakonceptueshëm. Krijimi dhe funksionimi i gjykatës administrative disiplinon në rrugë ligjore ankesat e qytetarëve që për momentin trajtohen në mënyrë mediatike apo në formën e ankesave tek instancat më të larta. Ankesat e qytetarëve ndaj administratës publike do të jenë të shumta; ato do të fillojnë nga një pretendim për një pension, bursë, leje ndërtimi e do shkojnë deri në pretendimet për shfuqizimet e planeve rregulluese apo për aktet e shpronësimeve, jo rrallëherë këto të gjitha të paligjshme ose jo absolutisht të pavlefshme. Kontrolli gjyqësor ndaj veprimeve administrative do të rrisë në mënyrë të ndjeshme ndërgjegjësimin, përgjegjësinë dhe profesionalizmin e administratës dhe të shërbimit ndaj qytetarëve.
Pyetja tjetër, përveç rolit të politikës në miratimin e paketës ligjore që përmban gjykatën administrative, është nëse kuadri ligjor në të cilin do të marrë frymë kjo e drejtë, është i plotë. Një vështrim mbi kodin administrativ apo atë të procedurës përkatëse na bën të trishtuar për varfërinë me të cilën janë ndërtuar këto dy kode kaq të rëndësishme. Një revolucion shkencor i bazuar mbi studime të thella, mbi të drejtën administrative dhe atë procedurale të vendeve perëndimore do ti paraprinte (dhe në të vërtetë duhet) aktivitetit të kësaj gjykate, pasi një institucion i tillë do të jetë treguesi më i mirë se pushteti gjyqësor është i shkëputur nga administrata tjetër publike dhe interesi i të dyjave bashkë është mirëfunksionimi i shërbimeve ndaj qytetarit dhe korrektësia në zbatimin e ligjeve.
Reforma në drejtësi ka filluar, por rruga është e gjatë dhe e vështirë, por jo e pamundur. Bashkimi i interesave për një shoqëri dhe administratë që respektojnë ligjet e shtetit duhet të dalë mbi interesat politike të vogla dhe afatshkurtra. Populli, juristët presin atë që institucionet ndërkombëtare kërkojnë nga politika: reflektim të mirë të shoqërisë dhe komunitetit kombëtar dhe atij ndërkombëtar.