E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA, Klintoni mbështet Obamën

Ish-presidenti amerikan Bill Klinton i ka ofruar për herë të parë mbështetjen e tij kandidatit presidencial demokrat, Barak Obama.

Ai nuk ka mbajtur ndonjë fjalim që të mbështesë kandidaturën e rivalit të bashkëshortes së tij në garën e gjatë dhe shpesh me tone të ashpra, që u zhvillua brenda partisë demokrate.

Por zëdhënësi i tij tha se zoti Klinton ka dalë me një deklaratë, ku e shpreh këtë mbështetje.

Sipas zëdhënësit, zoti Clinton është i angazhuar që të bëjë ç'është e mundur për të kontribuar në fitoren e Barak Obamës në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Ndonëse pati kritika për disa nga komentet e tij gjatë fushatës përzgjedhëse për kandidatët presidencialë, zoti Klinton mbetet një figurë shumë popullore për demokratët.

Ai mund ta ndihmojë senatorin Obama që, deri në zgjedhjet e nëntorit, të depërtojë edhe në zonat ku ai e ka patur të vështirë të futet.

Drejtuesit e Partisë Demokrate po i mëshojnë fort rëndësisë që ka uniteti brenda kësaj partie.

Të enjten e kaluar senatori Obama dhe senatorja Klinton morën pjesë në një aktivitet për grumbullimin e fondeve në Uashington.

Një ditë më pas ata udhëtuan drejt një qyteti në shtetin New Hampshire, që mban emrin 'Unitet'.

Zonja Klinton, është kthyer në Uashington, për herë të parë që kur u largua nga gara.

Zoti Obama ndodhet në Los Anxhelos për të grumbulluar fonde për fushatën e tij presidenciale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›