E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata bllokon pasurinë e dy "pengmarrësve" që përfituan 1.8 mln euro në Greqi

TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, me kërkesë të organit të akuzës vendosi bllokimin e rreth 340 mijë eurove të shtetasve shqiptar Mariglen Kuqi dhe Oltion Sadikaj, të akuzuar në Greqi për pengmarrjen e një vajze, për lirimin e së cilës kanë përfituar së bashku me 6 persona të tjerë 1.8 milion euro.


Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të togave të zeza dhe njësisë së Task-Forcës në prokurorin e kryeqytetit, të cilët prej shkurtit të këtij viti kanë nisur hetimet ndaj Kuqit dhe Sadikajt për akuzën e "pastrimit të parave".


Sipas dy vendimeve të firmosura nga gjyqtarja Antonela Prendi, ku "Shekulli" i ka siguruar kopjet e tyre, mësohet se lushnjarit Mariglen Kuqi i janë bllokuar dy apartamente dhe një llogari bankare me vlerë rreth 280 mijë euro, ndërsa elbasanlliut Oltion Sadikajt vetëm një llogari bankare me vlerë 60 mijë euro.


"Prokuroria e Athinës ka filluar hetimet për akuzën e "Pengmarrjes dhe kërcënimit" në bashkëpunim në ngarkim të tetë të akuzuarve, mes të cilëve shtetasin Mariglen Kuqi të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe të arrestuarin Oltion Sadikaj.


Këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin më datë 19 qershor 2009 e kanë rrëmbyer në hyrje të banesës së saj në "Palio Faliro Krono 1921" shtetasen Evanthia Farnkogjeorgji.


Pas rrëmbimit, pengmarrësit i kanë kërkuar mikut të saj Ari - Anastasi Theodhoridhi shumën prej 1.8 milion euro, shumë kjo e cila është paguar më 26 qershor 2009 ku dhe është liruar pengu"-thuhet ne vendimet me nr. 594 dhe 595 të firmosur nga gjyqtarja Prendi.


Sipas këtyre vendimeve, mësohet se të dy shqiptarët Kuqi dhe Sadikaj të nesërmen e lirimit të pengut kanë hyrë në territorin shqiptar të verifikuar në sistemini TIMS të pikë kalimeve kufitare.


Sadikaj


"Nga hetimet e kryera nga njësia e Task-Forcës së prokurorisë së Tiranës, ka rezultuar se më 27 qershor 2009 elbasanlliu Oltion Sadikaj ka hyrë në territorin shqiptar dhe më 30 qershor ka hapur një llogari bankare duke depozituar 100 mijë euro.


Më pas më 23 ka hapur edhe një llogari bankare me vlerë 30 mijë euro dhe më pas më 27 korrik ka derdhur edhe 30 mijë euro të tjera në këtë llogari duke i cilësuara si të "ardhura nga emigracioni".


Ka qenë vetë Sadikaj i cili më 3 shkurt 2010 ka tërhequr shumën prej 100 mijë euro duke mbyll edhe llogarinë bankare"-thuhet në vendimin e gjykatës me nr.594, duke shtuar se pas kësaj date është arrestuar në Greqi dhe ndodhet i izoluar në burg.


Kuqi


"Nga hetimet e kryera në adresë të lushnjarit të shpallur në kërkim Mariglen Kuqi dhe pjesëtarëve të ngushtë të familjes së tij, rezultoi se ata disponojnë dy apartamente dhe një llogari bankare të krijuar pas datës 26 qershor 2009, ditë kur është liruar pengu.


Menjëherë pas "dorëzimit" të pengut mësohet se Kuqi ka hyrë në Shqipëri, ndërsa babai dhe bashkëshortja e tij pak kohë më vonë, duke realizuar blerjen e dy apartamenteve në Tiranë dhe Golem të Kavajës.


I ati i të shpallurit në kërkim, shtetasi me inicialet N.K. më datë 6 korrik 2009 ka blerë një apartament në Golem të Kavajës me sipërfaqe 108.9 metra katror me vlerë 70 mijë euro. Më pas, më 28 tetor 2009 bashkëshortja e të kërkuarit me inicialet B.K. ka blerë një apartament në Tiranë me sipërfaqe 106 metër katror me vlerë 137 800 euro.


Të dy këto blerje janë kryer me para në dorë. Gjithashtu, nga hetimet ka rezultuar se ati i të kërkuarit dhe vetë ai kanë një llogari bankare të përbashkët të hapur pas 26 qershorit 2009 me shumën prej 70 mijë euro me cilësimin "të ardhura nga emigracioni"-thuhet në vendimin me nr.595 të firmosur nga gjyqtarja Prendi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›