Nostalgjikë indiferentë

Dy ditët e para, një numër minimal spektatorësh shfaqin interes për filmat e viteve 50-80.
Organizimi aspak serioz i "Nostalgjisë së kinemasë": orare që shtyhen, filma që nuk shfaqen, kalendar i mangët, asnjë informacion për shikuesin
Kur mëson se kanë nisur javët e "Nostalgjisë së kinemasë", vetiu imagjinon regjisorë, aktorë, skenaristë, operatorë, njerëz të artit, flokëbardhë që afrohen në një sallë kinemaje, sadoqë në një qendër tregtare. Njerëz që do donin të shijonin nëpërmjet këtyre filmave vite të rinisë kur frekuentonin rregullisht kinematë "Gloria", "Republika", "Nacional", "17 nëntori", "Partizani".
I imagjinon duke i rrëfyer sho-shoqit skenën më të bukur të aksh filmi, duke imituar gjeste dhe cituar fjalë të aktorit apo aktores që me siguri ka shkëlqyer në atë film. Këto vetëm mund të imagjinohen kur bëhet fjalë për ditët e aktivitetit të quajtur "Nostalgjia e Kinemasë" që prej dy ditësh ka nisur në kinemanë "Imperial".
Sigurisht që organizatori duhej të ishte Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit të cilit i përket kjo pasuri. Por dora e këtij organizatori, e këtij "zoti prone" të paktën deri dje, në projeksionin e paradites, nuk po dukej.
Nga data 4 deri më 18 qershor, shfaqen 45 filma italianë, francezë, gjermanë, indianë, rusë, rumunë, argjentinas, meksikanë, që i takojnë viteve '50, '60 por më të shumtët janë të viteve '70, '80. Çdo ditë shfaqen tri filma nga paraditja deri pasdite. Arkivi ka shpallur si qëllim të tërheqë publikun e moshës së tretë, por edhe për të prezantuar me të një publik të ri.
Për Flori Slatinën, nëndrejtor i Arkivit Qendror të Filmit qëllimi është prezantimi i kësaj trashëgimie për shikuesin dhe në të njëjtën kohë riciklimi i filmave që kanë dyzet vjet të kyçur në dhomat e ftohta të Arkivit.
Duke mos qenë gati ende salla e kinemasë së Arkivit, të cilën drejtoresha e AQSHF-së, Elvira Diamanti e ka premtuar gati brenda marsit, u pa e arsyeshme që shfaqja të bëhet në kinema "Imperial", larg qendrës, në një qendër tregtare.
Një kinema që siguronte kushte të mira për konservimin e tyre për një kohë të shkurtër. Në këtë marrëveshje që institucioni lidhi me me "Empire SHPK" parashikohet që Arkivi t'i vinte në dispozicion filmat për t'u projektuar vetëm një herë dhe kinemaja t'i jepte 30% të shumës së të ardhurave nga biletat.
Nga një vëzhgim që gazeta "Shekulli" bëri dje në ambientet e kinemasë "Imperial" u vu re se nuk erdhi qoftë edhe një spektator i vetëm për të ndjekur filmin "Minuta e fundit" (Ultimo Minuto), një realizim i vitit 1987 i Pupi Avatit. Punonjësit e kinemasë thanë se edhe dita e parë nuk kaq qenë hiç mirë.
Askush nuk i është afruar sportelit për të blerë një biletë që për këto projeksione kushton 200 lekë. Kështu që është pezulluar shfaqja e filmave "Oskeola" (Osceola,1971) me regji të Konrad Petzoldit dhe "Fisheku i fundit" i Sergiu Nicolaescut. Nga Nicolaescu do të shfaqej në mbrëmje filmi "Me duar të pastra", i cili është ndjekur nga 15 vetë.
Po përse nuk vijnë në kinema nostalgjikët? Përse kaq pak interes për këtë trashëgimi kulturore që rri e kyçur në Arkivin e Filmit prej dekadash?
Po ndalemi tek një arsye: organizimi dhe tek një aspekt i tij, tek "shitja", politika, fantazia, pra tek forma dhe mënyra që nuk përdor Arkivi për ta bërë të pranishme tek njerëzit pasurinë që ka.
Nuk sheh gjëkundi një afishe që të njoftojë ku, kur dhe çfarë, së paku në institucionet e kulturës (meqë reklamimi në rrugë e sheshe ka një kosto financiare).
Vetëm në ambientet e kinemasë "Imperial" në Qendrën Kristal mund të njoftohet ai që shkon enkas aty. Edhe njerëzit e medias, që janë më afër këtyre ngjarjeve, u lajmëruan kur aktiviteti kishte filluar tashmë. Gazetarët kanë marrë një email me listën e filmave dhe oraret, me titujt në shqip, pa emra autorësh, vit prodhimi apo ndonjë të dhënë tjetër identifikuese.
Nëndrejtori Slatina thotë se publicitetin e "Nostalgjisë së kinemasë" e ka marrë përsipër kinemaja. Kurse sa për të dhënat për filmat, ato i gjen në skedat e informacionit për secilin film në AQSHF në ish Kinostudio.
Pra njerëzit (vetëm në rast se shkojnë në kinema dhe në rast se lexojnë gazetën) mund të marrin një dorë një program anonim.
Një specialiste e Arkivit që ndjek projeksionet thotë se në fund të fundit "aktiviteti është më tepër për emocionet e njerëzve sesa për t'iu dhënë dije" atyre. Me "dije" duket se nënkuptohet informacioni elementar dhe thelbësor.
Ose pa dashje me fjalën "dije" ajo nënkupton një mision që institucione të kujtesës si AQSHF duhet të kryejnë por nuk janë në gjendje ta aplikojnë: misionin e edukimit.
Qëllim i aktivitetit ishte afrimi i të rinjve. Po në ç'mënyrë?
Një katalog ku mund të prezantohej historiku i hyrjes së këtyre filmave në Shqipëri në pikun e izolimit total.
Një historik i shkurtër i kinemasë botërore nëpërmjet këtyre filmave (sadoqë nuk janë përfaqësues të historisë së kinemasë të vendeve që u përkasin) treguan me historinë e klimës të vendit që i priti. Ndoshta Arkivi i ka këto ide, po nuk ka para. Megjithatë asnjë shenjë nuk ka dhënë deri tani se di të sillet me trashëgiminë që ruan.
Rolin e këtyre e "gjërave të kushtueshme" mund ta zëvendësonte një specialist i Arkivit.
Nëndrejtori Slatina thotë se "tani dalim përpara këtij fakti", këtyre mungesave në organizim. Pikërisht ditën e hapjes së aktivitetit vihen re të gjitha parregullsitë! Ai premton se ditët në vijim të paktën informacioni do të jepet më i detajuar.
Filmat që shfaqen këto ditë në "Imperial" janë në formatin 35 mm dhe ruhen në dy dhoma të posaçme, me temperaturë 20 gradë celcius, dhe për gjendjen e tyre kujdeset specialistja e montazhit të filmit, Erma Troqe. Erma pohon se gjendja e tyre është e mirë dhe nuk siguron se nuk do të ketë probleme me aparatet e projeksionit. I vetmi film me probleme, shkëputje të shiritit në disa akte të veçanta është "Oskeola" i cili duhej të hapte aktivitetin.
Ndër 45 filmat e "Nostalgjisë së kinemasë" shihen emra të njohur regjisorësh që kanë bashkëpunuar me aktorë të po atij niveli, më së shumti regjisorë italianë dhe francezë.
Në vazhdim shfaqen nga kinemaja italiane: "100 ditë në Palermo" (1984) i Giuseppe Ferraras, "Hakmarrja e Ivanhoes" (1965) i Tanio Boccias, "Gruaja më e bukur" i Damiano Damianit (1970), "E zonja e bujtinës" (1980) i Paolo Cavaras, "Mafja me bluze të bardhë" (1973) i Luigi Zampas, "E dashura ime Libera" (1973) i Mauro Bologninit.
Nga kinemaja franceze: "Shën Mëria e Parisit" (1956) i Jean Delannoyt, "FanFan Tulipan"(1952) i Christian Jacques. Filmat rusë: "Ata qenë të parët" 1956 Yuri Yegorov, "Ai do të kthehet përsëri" i Pirjev; filmat indianë "Vagabondi" (1951) dhe "Zotnia 420" (1955) i Raj Kapoorit, filmi i njohur turk "Shamikuqja" (1977) e Atif Yilmaz etj.
Slatina thekson vlerat historike, kulturore e mbi të gjitha edukative të kësaj
trashëgimie. "Pra nuk janë thjesht nostalgji, për të kujtuar një kohë, por këto janë kryevepra të çdo kohe e çdo brezi" dhe përmend aktorë protagonistë në këto filma, Ugo Tognazzi, Gina Lollobrigida , Anthony Quinn, Jean Gabin, Alain Delon, Lino Ventura, Giuliana de Sio, Audrey Hepburn, Ornela Muti, Adriano Celentano, Raf Vallone, Antonella Lualdi, Gérard Philipe etj.
Kinema që hynte në Shqipëri duhej të trajtonte një tematikë jo të rrezikshme për politikën shqiptare të kohës. Megjithatë ka filma të kësaj serie të "Nostalgjisë" që janë prekur nga censura si "Minuta e fundit", "Zonja ime e mrekullueshme", "Gruaja më e bukur", "E zonja e bujtinës", "Don Zhuani", "Fan Fan Tulipan", "Misteret e Parisit", "Ne moshën e dashurisë", "Treni i ferrit".
Nesër shfaqen filmat "Lakuriq në mes të ujqërve" (Nackt unter Wölfen, 1963) me regji të Frank Beyer, "Dy njerëz të një qyteti" (Deux hommes dans la ville, 1973) i regjisorit José Giovanni me aktorë Jean Gabin, Alain Delon dhe "100 ditë në Palermo" (Cento giorni a Palermo, 1984) i Giuseppe Ferraras.