Gjykata bllokon zgjedhjet e myslimanëve
Fatos Mahmutaj
Pranohet sigurimi padisë së besimtarëve myslimanëve kundër kreut të KMSH-së, Selim Muça. Gjykatësja Elbana Lluri, pasi dëgjoi kërkesat paraprake të avokatit Isuf Shehu, përfaqësuesit ligjor të tetë paditësve, u shpreh se vendoste pezullimin e procedurave dokumentare të Komunitetit Mysliman Shqiptar, deri në zgjidhjen në themel të çështjes. E thënë ndryshe, sipas këtij vendimi, nuk mund të pasqyrohet në regjistrin e organizatave jo fitimprurëse në Gjykatën e Tiranës asnjë ndryshim nga fillimi i këtij muaji, që kur lindi edhe konflikti mes ndjekësve të besimit mysliman dhe krerëve të institucionit që i drejton ata. Nisur nga lajmërimi i një mbledhjeje të Këshillit të Përgjithshëm të KMSH-së për më datë 21 mars, duke pretenduar shkelje të statutit të këtij institucioni, tetë besimtarët: Ali Mara, Besnik Karaj, Edvin Kuçi, Fisnik Kurti, Haxhi Mesiti, Ilir Gjuzi, Ilir Hoxholli dhe Mentor Lamaj iu drejtuan Gjykatës së Tiranës duke kërkuar shpalljen të pavlefshme të njoftimit për mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm dhe detyrimin e kryesisë së Komunitetit Mysliman Shqiptar të caktojë një datë tjetër në përputhje me kërkesat e parashikuara në ligj dhe statut. Padia kundër KMSH-së u depozitua në gjykatë të enjten e javës së kaluar, ndërsa dje nisi shqyrtimi i saj, duke u shqyrtuar fillimisht kërkesat paraprake të paditësve dhe më pas pretendimet e tyre në seancën përgatitore. Në fillim të seancës së djeshme, avokati Shehu dhe njëri nga paditësit Ilir Hoxholli, pohuan se mbledhja e zhvilluar në medresenë e Kavajës ishte e paligjshme. Sipas tyre paligjshmëria fillonte që nga momenti i njoftimit të këtij takimi, i cili sipas statutit duhej të kryhej të paktën 15 ditë para, ndërsa në rastin konkret ishte bërë më pak se 10 ditë. Duke vazhduar në këtë linjë, avokati Shehu pohoi se të përfaqësuarve prej tij, nga veprimet e KMSH-së, veç dëmit moral u ishte shkaktuar edhe dëm shpirtëror. Sipas avokatit, gjykata duhet të vendoste fillimisht bllokimin e të gjithë praktikës së regjistrimit të Organizatës Jofitimprurëse, KMSH dhe më pas të shqyrtonte padinë në themel të saj. Pasi e pranoi këtë kërkesë, gjykatësja e çështjes vendosi të shtynte seancën për të tërhequr nga Zyra e Regjistrimit të Shoqatave, praktikën e plotë të regjistrimit të Komunitetit Mysliman Shqiptar nga Zyra e Regjistrimit të Shoqatave pranë Gjykatës së Tiranës si dhe për të bërë të mundur thirrjen me cilësinë e personit të tretë të KMSH-së. Seanca e radhës u vendos të zhvillohet në orën 13:30 të mesditës së sotme, ndërsa pritet konfirmimi i marrjes dijeni të palës së tretë në këtë proces, KMSH-së. Ende nuk dihet nëse ky institucion, si palë e prekur nga vendimi i djeshëm, do të paraqitet në proces apo do të refuzojë një gjë të tillë.
Mbledhja e fundit dhe rizgjedhja e Muçës, shkak për konfliktin
TIRANE - Konflikti i radhës mes Komunitetit Mysliman Shqiptar dhe ndjekësve të këtij besimi shpërtheu pak ditë më parë pas njoftimit për organizimin e mbledhjes së radhës të Këshillit të Përgjithshëm Drejtues të këtij institucioni në medresenë e Kavajës. Besimtarët, duke pretenduar se ishte shkelur statusi mbi të cilin funksionon KMSH, kërkuan publikisht moszhvillimin e kësaj mbledhjeje. Duke cituar nenin 22 të këtij statuti, në të cilin thuhet se mbledhjet e Këshillit të Përgjithshëm zhvillohen 15 ditë pasi anëtarët kanë marrë njoftim, besimtarët, të përkrahur edhe nga imamët e xhamive, pohuan se gjithçka në këtë rast ishte e paligjshme. Sipas tyre, anëtarët e Këshillit kishin marrë njoftim vetëm 10 ditë para mbledhjes. Pas kësaj besimtarët pohuan se do të organizonin të premten falje protestë para godinës së Komunitetit Mysliman. Ndërkohë, gjatë ditës së zhvillimit të mbledhjes para medresesë së Kavajës, dhjetëra besimtarë myslimanë protestuan kundër krerëve të fesë së tyre dhe mbledhjes së organizuar. Por edhe pas protestave të tyre, nuk pati asnjë ndryshim, kryetari i myslimanëve Selim Muça rikonfirmoi një mandat pesëvjeçar, përballë dy rivalëve të tij fiktivë, që u tërhoqën nga gara sapo u prezantuan. Numërimi i votave e nxori Muçën fitues të 85 për qind të tyre, ndërsa e gjithë procedura u kundërshtua vetëm nga dy anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm. fa.ma.