Kriza, rritet me 33 për qind numri i të varfërve
ZIRINA LLAMBRO
“Zengjinë të rinj” të pasuruar sa hap e mbyll sytë e shumë të tjerë ekstremisht të varfër. Nëse dy dekada më parë Shqipëria nuk kishte diferenca kaq madhore mes “kastave”, situata ka ndryshuar tërësisht. Hendeku mes të pasurve e të varfërve është thelluar. Këtë dëshmon edhe studimi i fundit i Organizatës Karitas Albania, i cili ka analizuar gjendjen ekonomike kryesisht në periferitë e qyteteve të mëdha. Sipas të dhënave, 33 % e shqiptarëve janë në emigracion të brendshëm, çka e bën më të pasigurt integrimin dhe sistemimin e tyre. Drejtori i Karitasit shqiptar, Albert Nikolla sqaroi se nga analiza e bërë rezulton se varfëria në periferi të qyteteve është në rritje, kjo edhe për shkak të krizës botërore që ka prekur vendin. “Vetëm gjatë dy muajve të fundit është rritur me 33 % numri i familjeve që kërkojnë ndihmë ushqimore”, nënvizoi Nikolla. Në qytete si Laçi, Kruja, Shkodra por edhe në shumë fshatra të jugut dhe të veriut rezulton se gjendja ekonomike është mjaft e rënduar. Është rritur numri i fëmijëve që braktisin shkollën, i familjeve që s’kanë para për të blerë ilaçe apo për të paguar qiranë e shtëpisë. “Nuk është e varfër një familje që nuk ka ushqim, por e varfër është një familje që nuk ka perspektive, nuk ka para për ilaçe e për arsimim”, u shpreh Drejtori i Përgjithshëm i CARITAS. Sipas studimeve paraprake, mendohet se në vitin 2010 do të ndihen më shumë efektet e krizës globale, ndaj kërkohet hartimi i strategjive dhe marrja e masave. Ndërkaq këtë raport, së bashku me tre të tjerë të fokusuar mbi çështjen e varfërisë në Shqipëri, organizata e Karitasit shqiptar, do t’i përdorë për të ndërtuar strategji për eliminimin e varfërisë dhe përjashtimit. Edhe shoqata të tjera joqeveritare, gjatë studimeve të ndryshme që kanë kryer, kanë konkluduar se niveli i varfërisë është në rritje.
Zyrtarisht Ministria e Punës raporton se plot 550 mijë persona në vendin tonë jetojnë në varfëri ekstreme. Është rreth 16 % e popullsisë që jetojnë me më pak se 2 dollarë në ditë për frymë, çka nuk plotëson nevojat më minimale të tyre. Situata mbetet më alarmante në zonat rurale, ku jetojnë rreth 65% e personave nën minimumin jetik. Me gjithë strategjitë e hartuara situata nuk ka pasur ndonjë përmirësim. Papunësia është një prej faktorëve kryesorë që ndikon direkt në nivelin e ulët ekonomik në të cilin jetojnë shqiptarët. Zyrtarisht në rang vendi raportohen rreth 146 mijë të papunë por numri i tyre mund të jetë edhe më i lartë. Kjo, pasi jo të gjithë personat që i përkasin kësaj kategorie regjistrohen në zyrat e Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale.