E Diel, 1 Nëntor 2026

Problemet në biznes, vetëvaret në Tiranë pronari i pikës së inerteve

 

TIRANE - Pronari i një pike inertesh në Tiranë i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur, pasi i kishte falimentuar biznesi dhe nuk kishte mundësi të kthente paratë që kishte marrë borxh për hapjen e tij. Gëzim Shehu, 43 vjeç është gjetur i varur nga nëna e tij, mesditën e djeshme, në banjën e apartamentit ku jetonte, në krah të shkollës “Edit Durham”, në kryeqytet. Nëna e tij ka gjetur edhe një letër në të cilën ai kishte sqaruar të gjitha rrethanat që e kanë detyruar të merrte vendimin fatal për jetën e tij. Oficerët e Komisariatit Nr.2 dhe të Sektorit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe pasi kanë kryer të gjitha veprimet hetimore kanë sekuestruar edhe letrën që ai kishte lënë para se të vetëvarej. Gjithashtu bëhet e ditur se janë marrë në pyetje edhe familjarët e Shehut, të cilët kanë sqaruar për policinë edhe problemet ekonomike që familja e tij kishte kohët e fundit. Të njëjtin problem 43-vjeçari e kishte treguar edhe në letrën që kishte shkruar para se të vdiste, për familjarët. Në sallën operative të Policisë së Tiranës, ka mbërritur dje një telefonatë, për një vetëvarje që kishte ndodhur në afërsi të shkollës 9-vjeçare “Edit Durham”. Personi që kishte vrarë veten është 43-vjeçari Gëzim Shehu. Ai kishte disa muaj që kishte vendosur të hapte një biznes, për të përmirësuar kushtet ekonomike të familjes. Shehu kishte hapur një pikë inertesh, duke marrë borxh një shumë të konsiderueshme parash, që sipas familjarëve që kanë dëshmuar në polici, arrin shifrën e 10 mijë eurove, por edhe një kredi bankare, me po të njëjtën vlerë. Edhe pse kishin kaluar disa muaj nga hapja e këtij biznesi, 43-vjeçari nuk ka mundur që të fitojë paratë që i kishte marrë një mikut të tij dhe ishte drejt falimentimit. Kjo e ka detyruar që t’i jepte fund jetës, duke u vetëvarur me litar, pasi nuk kishte më asnjë shpresë për të shlyer huanë që i kishte mikut të tij. Të paktën ky është arsyetimi i familjarëve, por edhe viktimës, pasi ai gjithçka e kishte sqaruar në letrën e lamtumirës që i kishte lënë familjes së tij. Policia ka sekuestruar letrën dhe ka marrë në pyetje të gjitha familjarët e biznesmenit 43-vjeçar, për të verifikuar nëse vërtetë kjo është arsyeja e vetëflijimit të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›