E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasaportat biometrike,nis sot aplikimi në Tiranë

 

Ministria e Brendshme bëri të ditur dje se nga dita e sotme nis aplikimi në të gjitha njësitë bashkiake në kryeqytet për pajisjen e qytetarëve me pasaportat e reja biometrike. “Ky proces do të nisë fillimisht në Tiranë dhe qytetarët munden të aplikojnë në qendrat përkatëse pranë çdo njësie bashkiake. Procesi i aplikimit për pasaportë biometrike është i njëjtë me procesin e aplikimit për letërnjoftimin elektronik, thjesht qytetarët duhet të blejnë pranë zyrave postare kuponin për pasaportën biometrike”, thuhet në njoftimin për shtyp të ministrisë. Çmimi i dokumentit të ri do të jetë 6 mijë lekë të reja dhe procedura do të jetë e njëjtë si për pajisjen e qytetarëve me kartat e identitetit. Fillimisht ata duhet të paraqiten pranë zyrave postare për të blerë kuponin e aplikimit dhe më pas do të drejtohen në zyrat ku tani bëhet aplikimi për kartat për të vazhduar me procedurat për pasaportën biometrike. “Pajisja e qytetarëve shqiptarë me dokumentet e reja të identitetit ka një rëndësi të madhe për procesin e integrimit të vendit tonë në Bashkimin Europian dhe në mënyrë të veçantë për liberalizimin e vizave. Për më tepër numri i pasaportave biometrike të lëshuara për qytetarët shqiptarë do të jetë një argument i rëndësishëm për liberalizimin e vizave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian”, thuhet më tej në njoftimin për shtyp. Pasaportat aktuale do të jenë të vlefshme deri në 2011.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›