E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Durrësit përfshihet në projekt pilot për çështjet tregtare

Gjykata e rrethit gjyqësor në Durrës është e para që është futur në një projekt pilot për zbatimin e projektit Zgjidhja alternative e mosmarrëveshjeve tregtare me ndërmjetësim financuar nga IFC (Korporata Ndërkombëtare Financiare). Në një takim të zhvilluar në Gjykatën e Durrësit ka qenë i pranishëm edhe përfaqësuesi i IFC në vendin tonë Giovanni Daniele, gjyqtarë të gjykatës së Durrësit, përfaqësues nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Dhoma e Avokatisë etj. Kryetari i gjykatës, Ervin Metalla është shprehur se ky projekt pilot shërben për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me karakter tregtar midis palëve  me sa më pak kohë dhe kosto. Prej disa javësh në gjykatën e Durrësit janë vendosur disa ndërmjetës që merren me shqyrtimin e këtyre çështjeve me qëllim që të gjendet gjuha e përbashkët për zgjidhjen e tyre. Gjykata e shkallës së parë në Durrës nga viti 2003 deri në vitin 2008 ka marrë në shqyrtim një numër çështjesh që janë rritur në masën 50 për qind, ku një pjesë e konsiderueshme e tyre janë me karakter tregtar. Kreu i gjykatës, Ervin Metalla tha se pikërisht një numër i konsiderueshëm çështjesh kanë shansin që të kalojnë në këtë zyrë për zgjidhjen e tyre me kompromisin e palëve në sa më pak kohë dhe kosto. Në lidhje me projektin në fjalë, përfaqësuesi i IFC-së Giovanni Daniele tha se IFC është një sektor privat i Bankës Botërore që ka si qëllim mbështetjen dhe këshillimin me asistencë juridike e financiare  të sektorit privat. Ky lloj projekti ka nisur te aplikohet ne vendet e Ballkanit që në vitin 2003 dhe tashmë pas afro 6 vitesh janë zgjidhur me ndërmjetësim 2600 çështje tregtare duke u zhbllokuar një sasi prej 85 milion dollarë. Në këtë aspekt, kjo gjë është mjaft pozitive, pasi dihet efekti i krizës që po kalon e gjithë bota, u shpreh Giobanni Daniele. Nga dita e hapjes së zyrës në gjykatën e rrethit gjyqësor Durrës janë zgjidhur një numër çështjesh që kanë bërë të mundur zhbllokimin e 210 mijë eurove të bllokuara nga detyrimet kontraktuale. Shifra është cilësuar e konsiderueshme kur dihet se ka vetëm pak javë që ka filluar nga puna. Në lidhje me zgjedhjen e Durrësit si projekt pilot, është bërë e ditur se u zgjodh pikërisht ky qytet për faktin se dihet volumi i shkëmbimeve tregtare dhe numri i madh i bizneseve që operojnë në këtë fushë, prania etj.

Last Updated on Wednesday, 03 June 2009 13:09

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›