E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis përplasja politike në juglindje, kryeplaku i PD rreh kreun e PS në Zëmblak

Parulla e majtë në muret e shtëpisë, objekt sherri për kundërshtarët politikë  
Fushata elektorale duket se ka nisur e nxehtë në juglindje, teksa është shënuar dhe incidenti i parë. Kryetari i PS së një fshati në Korçë, është masakruar nga dhuna barbare, e cila ka pasur si motiv bindjet politike. Kryetari i PS së fshatit Zëmblak në rrethin e Korçës është rrahur barbarisht bashkë me kushëririn e tij të parë nga kryeplaku i fshatit, përfaqësues i PD. Shenjat e dhunës në trupat e dy socialistëve janë të shumtë, ndërkohë që policia, e cila ka marrë informacion për ngjarjen, nuk ka nisur asnjë çështje penale. Fatos Hysaj, kryetar i PS në fshatin Zëmblak denoncon publikisht dhunën fizike të ushtruar ndaj tij dhe kushëririt të parë. Ngjarja mësohet të ketë ndodhur gjatë mbrëmjes së hënë, në fshatin Zëmblak. Shkak i saj është bërë një parullë pro PS, e shkruar në murin e shtëpisë së Hysajt, e cila ka nxitur reagimin e dhunshëm të kryeplakut të fshatit të lartpërmendur, shtetasit Bilal Mullalli. Sipas dëshmisë që ka dhënë në polici i dhunuari, por dhe për gazetën SOT, kryeplaku Mullalli mësohet ti ketë kërkuar socialistit të mos shkruhet asnjë parullë për të majtët në këtë fshat, ndryshe do të ndëshkohej. Vetë i dhunuari është përpjekur ti tregojë se nuk ishte ai që kishte shkruar parullën por pa mundur të bindë kryeplakun për të kundërtën. Kaq është dashur që ai të qëllojë fillimisht me grushte në drejtim të kreut të PS në Zëmblak, por dhe kushëririt të tij Nertil Hoxhalli. Më pas janë përdorur dhe mjetet rrethanore të cilat kanë lënë shenjë tek trupat e dy të majtëve. Ngjarja ka precipituar dhe kryeplaku ka thirrur dhe të afërm të vet, ndërkohë që shenjat në trupin e Hoxhallit janë të shumta, ashtu si dhe në atë të Hysajt. Sherri ka gjeneruar në një dhunë të paparë, e cila ka përgjakur dy socialistët. Ndërkaq, vetë dhunuesit që kanë kërkuar të mos shkruhen parulla me përmbajtje të majtë në fshatin e tyre, kanë kërkuar ndihmën e policisë, e cila pasi ka thirrur të gjithë të përfshirët në konflikt duke i shoqëruar në policinë e Korçës, nuk ka marrë asnjë kallëzim penal. Në një prononcim për gazetën SOT, Fatos Hysaj thotë se situata në fshatin Zëmblak është shumë e tensionuar politikisht dhe PD, e cila deri pak kohë më parë e ka patur si bastion këtë fshat është duke humbur terren ndaj dhe është duke reaguar në këto forma. Ndërkaq, burime të policisë së Korçës konfirmojnë ngjarjen, por kanë pohuar se asnjë nga palët nuk ka preferuar të bëjë kallëzim për njëra-tjetrën. Situata të tilla të rikthejnë disa vite më parë nëkohë, kur sherret për bindje politike arrinin jo vetëm në dhunë, por edhe deri në vrasje.   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›