Unioni i gazetarëve të Gjirokastrës, marrëveshje bashkëpunimi me Policinë
Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit mes Unionit të Gazetarëve të Rajonit Gjirokastër dhe Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës. Marrëveshja e nënshkruar dje mes kreut të gazetarëve të Gjirokastrës, zotit Piro Nase dhe drejtorit të Policisë Rajonale, zotit Arben Hyseni, konsiston në krijimin e një komunikimi të vazhdueshëm mes Zyrës për Marrëdhëniet me Publikun në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër dhe gazetarëve gjatë procesit elektoral dhe atë zgjedhor në zgjedhjet e 28 qershorit në rajonin jugor, por edhe në vazhdimësi.
Kreu i Unionit të Gazetarëve të Gjirokastrës, zoti Piro Nase paraqiti një platformë bashkëpunimi, ku midis të tjerash kërkoi një bashkëpunim të efektshëm me policinë në lidhje me dhënien e informacioneve interaktive duke implementuar për të parën herë një formë të re komunikimi mes institucioneve shtetërore dhe të pavarura. Zoti Nase është shprehur se kjo praktikë haset sot në vendet e zhvilluara përmes kanaleve të ndryshme qofshin këto mobile, online dhe përmes daljeve nëpër konferencat për shtyp. Unioni i Gazetarëve të Gjirokastrës, në këtë marrëveshje bashkëpunimi ka kërkuar nga Policia e Gjirokastrës, krijimin e të gjithë hapësirave të nevojshme për marrjen e të gjitha informacioneve që kanë të bëjnë me rendin, zhvillimin e procesit zgjedhor në ditën e zgjedhjeve, rolin e policëve në terren, zgjidhjen e konflikteve të mundshme në terren si dhe informimin real të të gjithë ngjarjeve që mund të ndodhin. Zoti Nase ka kërkuar nga Zyra për Marrëdhëniet me Publikun në Policinë e Gjirokastrës që të organizojë periodikisht një herë në javë deri në përfundimin e të gjithë procesit zgjedhor konferenca shtypi dhe krijimin e lehtësirave në marrjen e informacioneve online dhe shkëmbim interaktiv të tyre mes teknologjive mobile free vetëm për gazetarët. Ndërkaq drejtori i Policisë së Gjirokastrës Arben Hyseni ka vlerësuar nënshkrimin e kësaj marrëveshje dypalëshe, pasi sipas tij media konsiderohet partnere në luftën kundër krimit, por edhe oponente.