I vihet zjarri zyrës elektorale të PS në komunën Xhafzotaj
Disa persona të paidentifikuar kanë tentuar të djegin zyrën elektorale të Partisë Socialiste në komunën Xhafzotaj, afër qytetit të Shijakut tek vendi i quajtur katër rrugët, në qarkun e Durrësit. Policia e këtij qarku thotë se ngjarja ndodhi rreth orës 02:00 të mëngjesit të djeshëm. Nga të dhënat e para të hetimit mësohet se, autorët i kanë vënë flakën qepenit të zyrës elektorale si dhe kanë djegur flamujt që valëviteshin. Sipas kqyrjes së vendngjarjes, autorët e saj kanë derdhur benzinë duke tentuar që ta fusin atë brenda qepenit dhe më pas i kanë vënë asaj zjarrin në mënyrë që ta digjnin krejt zyrën.
Por zjarri ka dëmtuar vetëm jashtë kësaj zyre duke djegur flamujt, e nuk ka mundur të depërtojë brenda zyrës së PS. Në vendngjarje kanë mbërritur efektiva të policisë si dhe grupi hetimor. Po kështu, për të parë nga afër ngjarjen e ndodhur ka shkuar edhe kandidati për deputet që kryeson listën për qarkun e Durrësit Blendi Klosi, kryetari i PS në Shijak Indrit Buka si dhe vetë kreu i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako. Klosi e ka cilësuar ngjarjen të rëndë, ndërsa ka pohuar se gjithçka ishte e paralajmëruar, pasi edhe më parë ka pasur kërcënime në zyrat elektorale të PS. Sipas tij gjithçka ka ndodhur për arsye politike ku menjëherë pas mitingut madhështor të PS në Durrës, persona ende të paidentifikuar kanë dhunuar zyrën elektorale. Blendi Klosi, kandidati për deputet, i pari në listën me 12 kandidatë të PS në qarkun e Durrësit në një prononcim për median, e cilësoi ngjarjen si një presion i drejtpërdrejtë i kryeministrit Berisha, njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike: Ky është një presion i drejtpërdrejtë që bëjnë njerëzit e Sali Berishës dhe shprehja e tij që do të kthejmë vitet 92 e 96 mesa duket po fillon nga Shijaku. Sali Berisha po vazhdon me djegie, shkatërrim e presion fizik mbi mbështetësit e PS, ka thënë Klosi. Në vendin e ngjarjes, policia sekuestroi si prova materiale një shishe me benzinë dhe një çakmak. Ndërkaq, ka nisur hetimi për të zbardhur autorët e ngjarjes. Nga ana e grupit hetimor janë mbledhur të gjithë provat e mundshme materiale të gjetura në vendngjarje, të cilat do të ndihmojnë grupin hetimor për identifikimin e autorëve. Sipas burimeve policore, mendohet se autorët kanë qenë më shumë se një person, por ende nuk ka të dhënë për ta. Ndërkaq, të njëjtat burime nga policia bëjnë të ditur se personat nuk kanë tentuar të hapin derën, por i kanë vënë flakën flamurit të partisë si dhe kanë hedhur benzinë në pjesën e përparme të godinës, duke shkaktuar disa dëme të vogla materiale. Vetëm pas kqyrjes së vendit të ngjarjes si dhe pas konstatimit të dëmit të shkaktuar grupi hetimor ka arritur në përfundim se ngjarja nuk ka patur si motiv grabitjen e zyrës, kjo dhe për vetë faktin që sendet që ndodheshin në godinën elektorale nuk ishin me vlerë. Kjo është dhe hera e dytë pas asaj të Don Boskos, që zyra elektorale e PS dhunohet nga persona ende të paidentifikuar. Ndërkohë që nuk është hera e parë që në fushatë elektorale shënohen të tilla incidente me djegie, dhunim apo shkatërrim të zyrave elektorale të forcave të ndryshme politike.