Gjykata e Hagës shtyn për në 4 korrik vendimin për ish gjeneralin serb të Bosnjes, Ratko Mlladiç

Gjykata ndërkombëtare e Hagës ka shtyrë për në 4 korrik vendimin për ish-gjeneralin e Bosnjes Ratko Mlladiç.
Gjyqtari kryesues, Alfons Ori, ka deklaruar se vendimi për Mlldiç do të merret në datën 4 korrik në orën 10:00.
Në paraqitjen e tij të parë në Gjykatën e Hagës për Krime Lufte, i akuzuari Ratko Mlladiç tha se është shumë i sëmurë.
Ai refuzoi të flasë në lidhje me akuzat që sipas tij janë të papranueshme, ato për genocid, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
I pyetur nga gjyqtari Ori se a i kupton të drejtat e tij si i akuzuar i Gjykatës së Hagës për krime lufte në ish-Jugosllavi, Ratko Mlladiç deklaroi se është shumë i sëmurë dhe se i duhet më tepër kohë për t`i kuptuar akuzat.
“Nuk dëshiroj të më lexohet aktakuza në asnjë fjalë dhe në asnjë fjali”, tha Ratko Mlladiç.
Ish-gjenerali serbo-boshnjak Ratko Mlladic ka dalë sot per herë të parë përballë Gjykatës së Hagës.
Mlladiç u arrestua javën e shkuar në Serbi pas 16 vjetësh arrati, ndërsa kërkohej nga drejtësia ndërkombëtare për krimet e kryera gjatë luftës së Bosnjës nga vitii 1992 deri në vitin 1995.
Avokati mbrojtës dhe familjarët e Mlladiç, thonë se ai është i sëmurë, por doktorët bënë me dije se ish-gjenerali ishte në gjendje të dilte para gjykatës.
Mlladiç akuzohet si autor i masakrës së Srebrenicës, ku mbetën të vrarë 8 mijë djem dhe burra myslimanë. Gjithashtu Mlladiç akuzohet për genocid, persekutim, vrasje, akte çnjerëzore, terror, pengmarrje me qëllim zhdukjen e myslimanëve nga territoret boshnjake.
Seanca
Ish-komandanti serb i Bosnjës, Ratko Mlladiç po merret në pyetje për të parën herë që nga dita e ekstradimit para Gjykatës së Hagës për Krimet e Luftës.
Gjykatësit e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë i kanë kërkuar Mlladiçit të identifikohet dhe t`u përgjigjet pyetjeve për gjëndjen e tij shëndetësore.
Gjykatësi i ka lexuar të drejtat Ratko Mlladiçit dhe më pas ai është pyetur nëse i kupton ato dhe nëse është njohur me akuzat të cilat i janë paraqitur atij edhe në gjuhën serbe. “I kam ato dokumente por nuk kam lexuar se çfarë shkruhet aty. Më duhen të paktën 2 muaj të njihem me to”- theksoi Mlladiç.
Ndaj Ratko Mlladiç janë ngritur 11 akuza të cilat lidhen kryesisht me masakrën më të madhe të pas luftës së Dytë Botërore, atë të Srebrenicës.
Në zonën boshnjake u vranë dhe u masakruan plot 8 mijë civilë të pafajshëm të cilët i përkisnin komunitetit mysliman. Ndërkaq, mbrëmjen e djeshme avokati i Mlladiç lajmëroi se ish gjenerali ishte shtruar në spitalin e Hagës.
Nga disa të dhëna paraprake është raportuar se Mlladiç ka vuajtur para dy vitesh nga sëmundja e Limfomas.
Ratko Mlladiç u arrestua disa ditë më parë në një fshat të Beogradit ndërsa sot ai pritet që t`i përgjigjet akuzave për genocid, krime lufte dhe krime kundër njërëzimit që dyshohet se janë kryer gjatë luftës në Bosnjë, nga viti 1992 – 1995.