Kolegji Zgjedhor “rrëzon” PS-në, lë në fuqi vendimin e KQZ-së, Lulzim Basha fitues i bashkisë së Tiranës

UPDATE- Pas afro 2 orësh ngujimi, Kolegji Zgjedhor pushon çështjen ankimore të Partisë Socialiste, për të shpallur të pavlefshëm rezultatin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës.
Vendimi i Kolegjit Zgjedhor është i formës së prerë dhe vjen në një kohë kur PS kishte ngritur pretendime të njëpasnjëshme për të shpallur të pavlefshme votat e hedhura në kutinë e gabuar.
Por, vendimi i pak minutave më parë hedh poshtë çdo pretendim politik të PS, duke lënë në fuqi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të datës 23 maj, i cili shpalli fitues të zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës me 81 vota më shumë, kandidatin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Numërimi i votave në kutinë e gabuar, në Tiranë PS e kundërshtoi, në Fier kërkoi numërimin e tyre
Votat të hedhura në kutitë e gabuara janë gjetur edhe në bashki të tjera në vend, siç është rasti i Fierit, por ato nuk janë trajtuar njëlloj nga Partia Socialiste. Në Tiranë, socialistët e kundërshtuan vlerësimin e votave të gjetura në kutitë e gabuara, por paradoksalisht në komunën Zharrëz të Fierit kanë kërkuar numërimin dhe pasqyrimin e tyre në tabelën përfundimtare të rezultateve. Këtë e vërteton një dokument i shkruar dhe i firmosur nga tre anëtarët socialistë të KZAZ-së 19, të cilët kërkojë numërimin e votave për kryetarin e komunës, që u gjetën në kutinë e këshilltarëve bashkiak, pasi kandidati socialist rezultonte humbës në këtë komunë. Nisur nga kjo ankesë, dhe me këto fakte KZAZ-ja 19 ka vendosur numërimin e tyre dhe përfshirjen e tyre në tabelën e përfundimtare të rezultateve. Një vendim i pranuar me qetësi nga kandidati i mazhorancës, i cili rezultonte fitues i kësaj gare para numërimit dhe që mbeti i tillë edhe pas vlerësimit të këtyre fletëve. “Unë do të thoja se është një vlerësim i drejtë nga ana e ankimuesve. U bë këqyrja e votave të dy kutive dhe ato u ri-panë dhe u bë vlerësimi përkatës i tyre”, tha kandidati i mazhorancës në këtë komunë, Taulant Garxenaj. Por në Tiranë, vendimi i KQZ-së për vlerësimin e këtyre votave ngjalli një reagim të shfrenuar të selisë rozë, mbajtjen për ditë me radhë të rrethuar zyrat e KQZ-së, deri sa nga selia rozë u lëshuan akuzat për manipulim rezultati. Në komunën Zharrës të Fierit kandidati i amzhorancës, në rezultatin paraprak fitoi vetëm me një votë diferencë ndaj rivalit të tij socialist. Në garë për këtë komunë ishin Arben Smanjaku nga “Aleanca për të Ardhmen” i cili mori 1683 vota, Taulat Garxenaj nga “Aleanca për Qytetarin”, i cili mori 1684 vota dhe kandidati i pavarur Alban Grembi, i cili mori 160 vota.
KOLEGJI ZGJEDHOR
Prej afro 2 orësh Kolegji Zgjedhor është tërhequr për të marrë vendimin rreth rezultatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për Tiranën. Pas shqyrtimit të provave të padisë së PS, e cila ka kërkuar pavlefshmërinë e vendimit të që KQZ ka marrë me 23 maj, Kolegji Zgjedhor pritet të dalë me një vendim zyrtar i cili edhe do të përcaktojë kryetarin e ri të Bashkisë së Tiranës. Kolegji, pas kërkesës bërë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për tabelat përmbyllëse të rezultatit të KZAZ- ve të Tiranës, nga ana e trupës së gjyqtarëve pritet të bëhet verifikimi i tabelave dhe nëse ato janë përmbyllur para datës 18 majit, ditë kur KQZ miratoi në parim aktin normativ, në bazë të të cilit nisi numërimin e fletëve të hedhura në kutitë e gabuara. Partia Demokratike nuk pranoi që të merreshin si provë materiale tabelat e KZAZ-ve të kryeqytetit, ndërkohë që nga ana e socialistëve pretendohet krejt e kundërta. E gjithë beteja për Bashkinë e Tiranës, është certifikuar nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ku u shpall fitues me 81 vota në avantazh kandidati i mazhorancës, Lulzim Basha. Ndërsa kandidati socialist Edi Rama pret me ankth ndonjë përmbysje të mundshme të rezultatit dhe njohjen e kërkesave të socialistëve, e cila do të vendoset vetëm nga trupa e Kolegjit Zgjedhor, e cila është peshorja e fundit e drejtësisë për betejën afro 1 mujore nga data e zgjedhjeve.
...