Basha kryetar - Gjykata respekton vullnetin e Tiranës
Merr fund odiseja e shqyrtimit të zgjedhjeve të Tiranës në institucionet e drejtësisë. Mbeten pa reagim deputetët socialistë, kur Kolegji Zgjedhor vendosi me unanimitet të rrëzojë padinë e tyre për mosnumërimin e votave të hedhura në kutinë e gabuar. Me 81 vota plus, kryeqyteti do të ketë një administratë të re, e cila do të marrë përsipër çlirimin e qytetit nga karteli i interesave mafioze që e kishin bllokuar atë
Pas afro 2 orësh ngujimi, Kolegji Zgjedhor vendosi dje pushimin e çështjes ankimore të Partisë Socialiste, për të shpallur të pavlefshëm rezultatin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës. Vendimi i Kolegjit Zgjedhor është i formës së prerë dhe vjen në një kohë kur PS kishte ngritur pretendime të njëpasnjëshme për të shpallur të pavlefshme votat e hedhura në kutinë e gabuar. Por, vendimi i pak minutave më parë hedh poshtë çdo pretendim politik të PS, duke lënë në fuqi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të datës 23 maj, i cili shpalli fitues të zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës, kandidatin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Kështu, Kolegji Zgjedhor vlerësoi si të drejtë vendimin e Komisionit Qendror të zgjedhjeve për të hapur dhe numëruar kutitë e kontestuara, për Bashkinë e Tiranës, ku rezulton të jetë fitues kandidati i mazhorancës, Lulzim Basha me 81 vota. Kolegji u mblodh paraditen e djeshme për të dëgjuar relatorin e çështjes Tom Ndreca si edhe përfaqësuesit ligjorë të Partisë Socialiste. Pasi dëgjoi pretendimet e përfaqësuesve ligjorë socialistë, dje në mesditë Kolegji u tërhoq për pushim dhe më pas vazhdoi me dëgjimin e pretendimeve të përfaqësuesve ligjorë të KQZ. Kolegji Zgjedhor menjëherë pas nisjes së seancës të parashikuar në orën 17:00 është tërhequr për të marrë vendim, pasi të administrojë provat e padisë së PS e cila ka kërkuar pavlefshmërinë e vendimit që KQZ ka marrë me 23 maj. Ndërkohë KQZ i dorëzoi tabelat përmbyllëse të rezultatit të Tiranës dhe të KZAZ. Fillimisht selia rozë ankimoi aktin normativ të KQZ-së, të datës 18 maj, që i referohet numërimit të fletëve të kontestuara. Ndërsa më pas ankimoi dhe shpalljen e vendimit të KQZ-së që nxirrte fitues kandidatin e PD-së, Luzim Basha. Dy çështjet e ngritura në PS u bashkuan në një të vetme dhe Kolegji kërkoi më shumë kohë për tu njohur në mënyrë të plotë më pretendimet e PS. E gjithë beteja për Bashkinë e Tiranës, është certifikuar nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ku u shpall fitues me 81 vota në avantazh kandidati i mazhorancës, Lulzim Basha, ndërsa mbetej të shprehej vendimi i apelit pas ankimimit të opozitës. Vendimi i Kolegjit Zgjedhor u komunikua shkurt nga relatori Tom Ndreca i cili tha se rrëzohet kërkesa e Partisë Socialiste dhe pushohet çështja. Vendimi është marrë në mënyrë unanime nga pesë anëtarët e Kolegjit Zgjedhor. Kështu, ky Kolegj pasi kishte pranuar ta shqyrtonte e ka rrëzuar kërkesën e Partisë Socialiste e cila kërkonte që të mos njihej si i ligjshëm vendimi i KQZ për hapjen e kutive dhe numërimi sërish i fletëvotimeve të gjetura në kutitë e gabuara. Tashmë, vendimi i Kolegjit Zgjedhor është i formës së prerë dhe mund të thuhet se çështja e zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës është mbyllur: Lulzim Basha e ka fituar atë me 81 vota më shumë.
...