E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata e Lartë Pranga sekserit, premtoi ulje dënimi për vrasësin

Autori i Lajmit: Redaksia

Policia e Tiranës vë në pranga sekserin e rremë, të Gjykatës së Lartë. Një denoncim nga familjarët e 67-vjeçarit, Iliaz Bega, i cili akuzohet për vrasje të dyfishtë ka sjellë edhe arrestimin e sekserit Albert Xhuti. Burime nga policia e kryeqytetit bënë të ditur se 62-vjeçari akuzohet se ka mashtruar të afërmit e Begës, duke u premtuar se në këmbim të 10 mijë eurove do ta ndihmonte për të ulur dënimin në Gjykatën e Lartë të të afërmit të tyre. Por, pasi ka marrë paratë nuk ka bërë asnjë përpjekje për të ulur dënimin, duke bërë që të afërmit e të dënuarit për vrasje të dyfishtë të denoncojnë në polici. Kjo e fundit pas hetimeve ka bërë të mundur arrestimin e Xhutit me akuzën e mashtrimit. Ndërkohë mësohet se nuk ka një dokument ku thuhet se është dhënë shuma e 10 mijë eurove por i arrestuari pohon se i ka marrë por i ka prishur duke ua dhënë personave që do ta ndihmonin për të ulur dënimin e Iliaz Begës. 67-vjeçari është dënuar për vrasjen e ndodhur në datën 25 korrik 2005, në rrugën "Vangjel Note", në afërsi të Ish Kombinatit "Josif Pashko", ku janë vrarë me armë zjarri Namik Islamaj, 70 vjeç, dhe Astrit Islamaj, 44 vjeç,. Vrasja ka ndodhur në oborrin e banesës së autorit të këtij krimi Begës, për motive pronësie, pasi disa objekte në pronësi të viktimave janë në kufi me banesën e autorit Iliaz Bega.

Ky lajm është publikuar: 15/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›