E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkolla e Policisë, emrat e fituesve në 4 rrethe

Autori i Lajmit: Redaksia

Policia e Shtetit ka shpallur dje 21 fitues të konkursit për të fituar të drejtën për të ndjekur studimet në shkollën bazë të policisë për “Patrullë të Përgjithshme”.
Kanë qenë 178 aplikantë nga qarqet Fier, Vlorë, Berat dhe Gjirokastër, që zhvilluan testimin me shkrim në ambientet e Universitetit Kristal Fier. Por, pas kësaj faze, fituesve do tu duhet ti nënshtrohen një faze tjetër, që është ajo e testimit fizik. Ata kandidatë që do të mundin ta kalojnë me sukses edhe këtë fazë, dalin automatikisht oficerë ku do të angazhohen me strukturat e “Patrullës së Përgjithshme”. Testimi u bë dje me dy grupe dhe korrigjimi është mundësuar përmes skanerit, ndërsa fitues u shpallën kandidatët të cilët arritën të marrin mbi 60 pikë.
Konkurrimi i ardhshëm
Aplikantët që rezultuan fitues të këtij konkurrimi do ti nënshtrohen testimit fizik më datën 08.06.2010, në orën 07.30 në Stadiumin e Futbollit të qytetit të Lushnjës. Aplikantët duhet të paraqiten ditën dhe orën e përcaktuar për testimin fizik të veshur me uniformë sportive. Për qarqet Shkodër, Kukës dhe Lezhë testimi me shkrim do të zhvillohet në ambientet e universitetit “Luigj Gurakuqi” Shkodër në datën 18.05.2010. Për qarqet Elbasan dhe Korçë testimi me shkrim do të zhvillohet në ambientet e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan në datën 27.05.2010. Kandidatët ditën e zhvillimit të testimin me shkrim duhet të kenë me vete fletën e pranimit në testin me shkrim dhe kodin e aplikantit, të cilët i kanë tërhequr pranë Drejtorive të Policisë në Qarqe, ku kanë aplikuar.
Ankesat
Të gjithë aplikantët për çdo paqartësi që mund të kenë lidhur me këtë proces të drejtohen pranë Zyrave të Personelit në Drejtoritë e Policisë në Qarqe ose pranë Sektorit të Pranimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Po ashtu mund ti parashtrojnë pyetjet apo shqetësimet e tyre dhe me e-mail në adresën shkollaepolicise@mrp.gov.al.

Ky lajm është publikuar: 15/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›