Bankat, ja kushtet e reja për kredinë
Tashmë mundësia për të marrë kredi, po bëhet gjithmonë e më e vështirë. Kjo pasi bankat kanë filluar të tregojnë një kujdes të madh përsa i përket aktivitetit të tyre kreditues.
Sipas një raporti të nxjerrë nga Banka e Shqipërisë, ashtu si pjesa e dytë e vitit 2007, edhe 2008-a flet për një rënie të aktivitetit kreditues, si për bizneset ashtu edhe për individët, sidomos përsa u përket kredive konsumatore. Kështu, banket kanë filluar të tregohen dorështrënguar në lidhje me llojin e kredimarrësit dhe për standardet që kërkohen për të fituar një kredi.
Një lehtësim të procedurave ka pasur vetëm përsa i përket bizneseve të vogla e të mesme, të njohura ekonomikisht si SME, të cilat kanë pasur një prirje modeste lehtësuese. Sipas një vëzhgimi të tregut bankat, 4 bankat më kryesore, të cilat aktualisht zotërojnë 53 % të tregut, kanë shënuar një nivel të ulët kreditimi, por pavarësisht këtij fakti, kërkesa për kredi ka vazhduar të jetë e fortë dhe e qëndrueshme.
Përsa i përket kredive, duket se lehtësi janë ndjekur përsa i përket kredive për shtëpi. Rreth 90 për qind e bankave, janë përgjigjur se kërkesa, si nga ndërmarrjet e vogla, ashtu dhe ato të mëdha, është dukshëm më e lartë.
Kushtet për të marrë kredi
Për vetë kushtet në të cilat gjendet Shqipëria, bankat paraqiten disi mosbesuese përsa i përket sektorit të kreditimit. Gati për të gjitha llojet e kredive, është e domosdoshme hipoteka ( e cila për shumë prej bankave nuk duhet të jetë më e vjetër se tre muaj), sidomos përsa i përket kredive për shtëpi.
Vlera e tregut e hipotekës në përgjithësi duhet të jetë 150% ose 1.5 herë më e lartë se shuma e dhënë kredi. Data e pagesave të kredisë është zakonisht çdo muaj, por ka banka që praktikojnë edhe pagesat një herë në çdo 3 muaj.
Kushti tjetër që kërkojnë bankat është që të ardhurat familjare mujore të jenë sa 3-fishi i pagesës që do t'i bëhet bankës çdo muaj Kjo do të thotë që nëse çdo muaj duhen paguar 300 dollarë për kredinë, të ardhurat familjare duhet të jenë më shumë se 900 dollarë në muaj. Dhe së fundi pjesa më "interesante": pagesa mujore që i detyrohesh bankës? Pagesa përfshin një pjesë të shumës së kredisë së marrë dhe një interes të përllogaritur sipas një formule te posacme.