Gjykata e Lartë, Ruçi: Mazhoranca nuk është e interesuar ta miratojë

Vazhdojnë debatet në Kuvendin e Shqipërisë lidhur me projektligjin për Gjykatën e Lartë. Gjatë fjalës së tij, kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruci, ka akuzuar mazhorancën se po bën shfaqe, pasi sipas tij ajo nuk është e interesuar realisht për miratimin e këtij projektligji. Një deklaratë të tillë ai e ka argumentuar me faktin se në asnjë moment asnjë përfaqësues i pozitës nuk ka kërkuar bashkëpunimin e opozitës lidhur me këtë cështje.
“Nëse mazhoranca do të donte të mirotonte këtë ligj do kishte kërkuar kontributin e opozitës. Opozita ka qenë e gatshme të jepte gjithë kontributin e saj. Asnjë përfaqësues i pozitës nuk ka tentuar të kërkojë bashkëpunimin e opozitës. Opozita ua ka thënë që ditën e parë të fillimit të sesionit të ri parlamentar. Komunisti Berisha nuk bëri asnjë hap. Zbatoni Kushtetutën, ne po kërkojmë një të drejtë kushtetuese” tha ai.
Ruci ndër të tjera ka hedhur akuza mbi mazhorancën për kapje të drejtësisë, duke e lidhur këtë me cështjen e debatueshme të Këshillit qarkut të Fierit.
“Sot kanë vajtur të gjitha vendimet e gjykatave në Bruksel. Ju thoni se keni 12 prioritete, ne kërkojmë zbatimin e drejtësisë, ky është kusht për integrimin. Kusht tjetër është liria, të drejtat e njeriut. 56 burrave u ka dhënë populli një mandat dhe ti u thua jo” theksoi Ruci.