“Në gusht-shtator digjen fletët”
Alfred Peza
Kreu i KQZ-së Arben Ristani i ftuar në emisionin “Ora e Intervistës” në “Ora News” me gazetarin Alfred Peza tha se KQZ do të djegë fletët e votimit gjatë muajit gusht-shtator. Sipas tij, kjo periudhë përkon me shpalljen e datës së zgjedhjeve vendore të 2011 nga Presidenti i Republikës. Ristani tha se menjëherë pas dekretit të presidentit, KQZ nis nga puna për përgatitjen e të gjithë bazës materiale për zgjedhjet e ardhshme. Sipas tij, puna e komisionit hetimor parlamentar do të zgjasë në kohë, për vetë volumin e madh që transparenca ka. Por nëse komisioni do të nisë nga puna në muajin qershor, ku do të merret me materialet zgjedhore, ai do ta ndërpresë aktivitetin e tij pasi Parlamenti mbyllet në muajin korrik dhe rinis në mesin e muajit shtator.
Cila është koha që e rrezikon kornizën ligjore dhe kërkon djegien e kutive të votimit sipas jush?
Për mua rrezikohet koha e nevojshme kur ne nisim përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme. KQZ zyrtarisht fillon përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme sapo presidenti dekreton datën e zgjedhjeve për pushtetin vendor. Në bazë të ligjit shpallja e datës së zgjedhjeve për pushtetin vendor bëhet 9 muaj para zhvillimit të tyre, që është periudha gusht-shtator.
Pra në gusht ju i digjni fletët e votimit?
Me të dalë dekreti i presidentit ne fillojmë përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme. Dhe një nga gjërat që do përgatisim është baza materiale.
Ju në muajt e verës do të merrni dhe lejet e zakonshme. Kur mbyllet KQZ për të bërë pushimet e verës?
Meqenëse ne nuk jemi në një vit zgjedhor, është e kuptueshme që për administratën periudha më e preferueshme është periudha korrik-gusht, siç është për çdo administratë.
Sa ditë leje keni me ligj?
Rreth 25 ditë leje për të gjithë dhe ajo ndahet sipas rastit apo e rregullojmë me njëri-tjetrin.
Sidoqoftë dhe pse ka një debat politik, hetimi apo transparenca e zgjedhjeve nuk mund të fillojë para shtatorit..?
Ka dhe një gjë që doja të thoja, ne jemi dhe institucionalë dhe jemi të detyruar të zbatojmë ligjin, kështu që detyrimet tona ne do t’i realizonim në çdo kohë që na kërkohet zbatimi i ligjit, pavarësisht se kush mund të jenë periudhat më të mira apo më pak të favorshme. Kur nis ky proces? Unë mund t’ju them se ky proces duhet të vendoset mbi një kornizë ligjore dhe unë shoh se nuk është një proces që do të mbarojë shpejt.
Si një njeri i ligjit dhe duke pasur parasysh dhe procedurat që ndiqen për ngritjen e komisionit hetimor, a mund të fillojë hetimi përmes komisionit hetimor në korrik?
Mund të fillojë, por ai do të jetë fillimi, sepse nga fillimi deri tek mbarimi është larg dhe ka goxha rrugë.
Pavarësisht nga kjo ju në gusht-shtator i digjni fletët e votimit?
Normalisht duhet të merremi me këtë veprimtari rreth kësaj periudhe. Vendimi për këtë çështje është me shumicë të thjeshtë dhe brenda këtij vendimi ne vendosim për numrin e punonjësve që duhet të marrim për të bërë djegien e fletëve të votimit, lëndën djegëse, solucionin për të larë kutitë e votimit, etj. pra janë çështje shumë teknike.
Ju e keni maxhorancën për të vendosur këtë proces..?
Besoj se dhe minoranca do të jetë dakord që të kryet ky proces, sepse nuk shtrohet çështja nëse do të digjen apo jo fletët e votimit, sepse KQZ nuk mund të diskutojë nëse do ta zbatojë apo jo ligjin. Ajo që ne diskutojmë në këtë proces janë anët teknike për kryerjen e këtij procesi.
Domethënë në gusht-shtator fletët e votimit do të digjen?
Në gusht-shtator ky proces është i përfunduar. Ky është një proces shumë i thjeshtë, të cilin palët e kanë përcaktuar në këtë mënyrë përmes Kodit zgjedhor që kanë miratuar me konsensus të plotë mes tyre.
Robert Bosch
Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Robert Bosch, tha dje pas pjesëmarrjes në konferencën mbi shoqërinë civile se, u ndje i zhgënjyer nga konflikti në Parlament mes përfaqësuesve të maxhorancës dhe opozitës. “Isha i lumtur të shihja të dyja palët në Parlament në një seancë normale parlamentare. Pra, është ajo që kemi thënë edhe më parë që, Parlamenti është vendi për debatin politik. Por jam i zhgënjyer që disa njerëz nuk e kanë kuptuar këtë. Në vend që ta përdorin Parlamentin për debatin politik, po e bëjnë këtë për të fyer kundërshtarin politik. Kjo nuk duhet të ndodhë, Parlamenti është për debatin politik dhe për asgjë tjetër”, tha Bosch.
Helmuth Lohan
Kreu i delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri, Helmuth Lohan, tha dje se klasa politike në vend ka përgjegjësinë për gjetjen e konsensusit dhe tejkalimin e krizës që pas zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit. Duke folur në një prononcim për mediat në përfundim të konferencës mbi rolin e shoqërisë civile, Lohan tha se “përgjegjësia për negociatat dhe gjetjen e një zgjidhjeje u takon liderëve politikë shqiptarë dhe ata janë plotësisht të vetëdijshëm për këtë përgjegjësi”. Diplomati i Komisionit Evropian u ka bërë disa herë apel maxhorancës dhe opozitës për arritjen e një marrëveshjeje politike, që i hap rrugë dialogut parlamentar.