Gjykata e Lartë dënon 20 vjet Nehat Kullën
Akuzohej për vrasjen e shoferit të ish- ministrit të Brendshëm, Halit Shamata
Gjykata e Lartë dënon me 20 vite burg Nehat Kullën, i akuzuar për vrasjen në vitin 1998 të Halim Gjuzit, shofer i ish- ministrit të Brendshëm, në 1996-'97, Halit Shamata. Në këtë mënyrë mbetën në fuq vendimet e dy shkallëve të tjera të gjyqësorit, që e dënonin Kullën 57- vjeçar me 20 vjet heqje lirie, për akuzën e vrasjes. Kulla, është njohur gjatë periudhës së trazirave në kryeqytet me emrin "Gjenerali", ndërsa është akuzuar se drejtonte një nga bandat kryesore që vepronin në Tiranë në këtë periudhë. Trupi gjykues e mori këtë vendim, pavarësisht faktit se dy avokatët Kullës, mungonin në seancë dhe dhe kishin paraqitur kërkesë që seanca të shtyhej për një datë tjetër.
Në këtë mënyrë Gjykata e Lartë, mori në shqyrtim kërkesën e Kullës i cili kishte bërë rekurs dhe kërkonte pushimin e çështjes në ngarkim të tij, për akuzën e vrasjes së ish-shoferit të ish- ministrit te Rendit, Halit Shamata. Pas refuzimit të kërkesës së avokatëve, Kolegji Penal vendosi të shqyrtojë kërkesën në prani vetëm të përfaqesuesit të Prokurorisë së Përgjithme. Ai i kërkoi gjykatës se duhej të liheshin në fuqi vendimet e dy gjykatave të tjera, që e kishin dënuar Kullën me 20 vite burg. Gjykata e Durrësit dhe ajo e Apelit e dënuan Kullën me 20 vjet burg, për akuzën e vrasjes së Halim Gjuzit, në 1998 në afërsi të Golemit. Sipas prokurorise, pas një incidenti me makinë, viktima është gjendur nën breshërinë e armëve të zjarrit, ndërsa mbeti i vdekur në vend nga plagët e mara.
Dëshmitarët thanë se automjeti nga u qëllua ishte me targa ushtarake duke çuar organin e akuzës në dyshimet se mund të kishte qenë Nehat Kulla. Pas një sërë peripecish mes të cilave pesë arrestime e me pas liri e amnisti, Nehat Kulla u arrestua në vitin 2005 në një operacion, pas firmosjes nga gjykata të një urdhri arresti dhe kontrollit të banesës. Nga ky kontroll doli ashtu siç prisnin forcat e policisë, Kulla kishte një arsenal armësh të fshehura në banesë në një tunel. Për armët ai u dënua me kater vjet heqje lirie, prokuroria njëkohësisht deklaroi se po e hetonte 57- vjecarin edhe për vrasjen e Gjuzit. Nehat Kulla, nuk e ka pranuar kurrë autorësinë e ngjarjes, e për këtë avokatet e tij, kanë pretenduar se provat janë të manipuluara.