E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitet në lëvizje treni i mallrave

SHKODËR/ Persona të paidentifikuar kanë arritur të shkëpusin 9 nga 15 vagonat e trenit që udhëtonte drejt Elbasanit

Mësohet se treni ka qenë i ngarkuar me rreth 1000 ton skrap, ndërkohë që rreth 7 tonë janë hedhur përgjatë hekurudhës

Një sasi e madhe skrapi është grabitur nga persona akoma të paidentifikuar në aksin hekurudhor Han i Hotit - Shkodër, në trenin e mallrave që vinte nga Mali i Zi me destinacion Elbasanin. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:00, në afërsi të fshatit Vukpalaj të komunës Kastrat në rrethin e Malësisë së Madhe. Në kilometrin 135 të hekurudhës, rreth 100 metra pranë kalesës së dytë, persona të paidentifikuar kanë hipur mbi vagonat e trenit që ishte në lëvizje. Nga 15 vagona të trenit, të cilat ishin të ngarkuar me skrap me destinacion Elbasanin, 9 prej tyre janë shkëputur nga pjesa tjetër pasi personat që, sipas drejtuesve të hekurudhës kanë hipur tek vagoni i gjashtë, kanë mundur të shkëpusin pjesën metalike lidhëse mes vagonëve dhe lokomotiva me 5 vagonë ka vazhduar lëvizjen edhe për disa metra.


Nga vagonët e ndaluar personat që kanë qenë të hipur në të kanë hedhur jashtë sasi skrapi që shkon deri rreth 7 ton. Personeli i trenit është ndaluar dhe ka lajmëruar sallën operative të policisë dhe atë të hekurudhës, ndërsa nuk ka mundur të ndalojë personat që disa dhjetëra metra më tej hidhnin nga vagonat skrap. Personat që kanë kryer këtë veprim janë larguar duke e lënë skrapin e hedhur në dy anët e linjës hekurudhore, ndërsa policia ka shkuar dhe ka kryer veprimet përkatëse. Vendi ku ka ndodhur kjo grabitje është në mes të sipërfaqeve pyjore, në rrugë të ngushta dhe linja hekurudhore lakon jo larg banesave. Sipas drejtorit rajonal të hekurudhave në Shkodër, Tonin Trupa, treni ka qenë i ngarkuar me rreth 1000 ton skrap dhe nuk është hera e parë që ndodh vjedhja e skrapit nga trenat e mallrave.

"Vetëm gjatë këtyre dy javëve të fundit, në këtë segment të hekurudhës, thuajse çdo natë ka pasur vjedhje të skrapit nga trenat e mallrave, por jo në këto përmasa dhe jo duke e dëmtuar trenin. Personat që e kanë kryer këtë veprim kanë rrezikuar shumë jetën e tyre, pasi kanë hipur ndërsa treni ishte në lëvizje, edhe pse shpejtësia e tij në këtë zonë është 10-15 km në orë për shkak të ngarkesës së madhe dhe pjerrësisë. Mendoj se kjo që po ndodh, është e qëllimshme dhe jo e rastësishme. Ata që bëjnë veprime të tilla, duke rrezikuar së pari jetën e tyre, janë të shtyrë nga ata që duan të prishin imazhin e hekurudhës shqiptare, të largojnë biznesin nga ky lloj transporti dhe të dëmtojnë edhe ekonomikisht hekurudhën.

Vetëm riparimi i pjesës së dëmtuar që lidh vagonat kushton mjaft dhe ndoshta nuk bëhet në Shqipëri, pa folur për dëmet e tjera. Lokomotiva me një pjesë të vagonave është dërguar në stacionin ndërkombëtar të mallrave në Bajzë, dhe më pas është rikthyer dhe ka marrë vagonët e tjerë, pasi lidhja e tyre është e pamundur nga dëmtimi. Edhe kjo ka koston e saj. Kërkojmë që policia, sidomos policia kufitare, të bëjë patrullime të vazhdueshme në këtë zonë", thotë Trupa. Më tej ai shton se vitin e kaluar kanë pasur një periudhë ku skrapi merrej nga trenat e mallrave në segmenin Shtoj- Shkodër, por në bashkëpunim me policinë u organizua puna në mënyrë të tillë që sapo lajmëroheshin se treni me skrap nisej nga Bajza, shërbimet e policisë patrullonin në segmentin ku kishin ndodhur vjedhjet derisa kalonte treni dhe kështu situata u kapërcye.

Trupa këmbëngul në faktin që personat që kanë rrezikuar jetën për të ndarë vagonët janë shtyrë nga dikush. "Një rrëshqitje e atyre që hipin mbi vagonat e hapur për të hedhur nga ato mallin, do të ishte fatale për jetën e tyre",- shton Trupa. Burime nga policia bëjnë të ditur se janë marrë denoncimet e personelit të trenit të mallrave dhe po kryhen veprime për identifikimin e autorëve. Ndërkaq, një sasi e mallit të grabitur nga treni në lëvizje ka mbetur e hedhur në dy anët e hekurudhës dhe do të ruhet nga policia.

Somario: Personat që e kanë kryer këtë veprim kanë rrezikuar shumë jetën e tyre, pasi kanë hipur ndërsa treni ishte në lëvizje, edhe pse shpejtësia e tij në këtë zonë është 10-15 km në orë për shkak të ngarkesës së madhe dhe pjerrësisë

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›